Pas lajmeve se një helikopter me Presidentin e Iranit Ebrahim Raisi dhe Ministrin e Jashtëm Hossein Amirabdullahian bëri një ulje emergjente në një zonë malore të provincës së Azerbajxhanit Lindor, Departamenti Amerikan i Shtetit tha se po monitoronte nga afër informacionin.
“Për momentin nuk kemi asnjë koment tjetër”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Ai shtoi se për këtë është informuar edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Dhe Bashkimi Evropian ka thënë se po i monitoron nga afër informacionet për Raisin.
“Zemra jonë është me kombin iranian si mik dhe vëlla. I kërkojmë Zotit mëshirë dhe kujdes për presidentin, ministrin e jashtëm dhe shokët e tyre, tha zëdhënësi i Hamasit, Izzat al-Rishek.
Televizioni shtetëror iranian përsëriti se ende nuk ka informacion mbi fatin e pasagjerëve në helikopterin e rrëzuar dhe se nuk mund të konfirmojë nëse ka të vdekur apo të plagosur. Ndërsa IRNA raportoi se vendi i saktë i incidentit të helikopterit ende nuk është gjetur.
Ndërkohë, lideri shpirtëror i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, mbajti një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Iranit. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë iraniane urdhëroi përdorimin e të gjitha burimeve ushtarake për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Helikopteri ende nuk është gjetur, dhe nata po bie në zonë. Kërkimet ajrore janë pezulluar për shkak të kushteve të këqija atmosferike dhe të gjitha operacionet e shpëtimit po kryhen aktualisht nga toka, njoftoi televizioni shtetëror iranian.