Plani i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor paraqet një sinjal të qartë të përkushtimit të Bashkimit Evropian (BE) për transformimin ekonomik dhe demokratik të këtyre vendeve, tha kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së që po mbahet në Kotorr.
Këshilli i BE-së miratoi një plan prej 6 miliardë eurosh për t’i mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim të përshpejtimit të reformave dhe rritjes ekonomike, nga të cilat dy miliardë euro janë grante dhe katër miliardë euro kredi të favorshme të garantuara nga BE-ja.
Nga kjo shumë, 2 miliardë do të jenë grante dhe 4 miliardë kredi të buta, që do t’i japë BE-ja.
Në samitin e organizuar nga Spajiq, përveç liderëve të rajonit, marrin pjesë edhe Komisionari Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelji dhe ndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
Në këtë samit, Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti.
Samiti po organizohet nën sloganin: “Një rajon, vizion i përbashkët”.
Mesazhe për liderët rajonalë nga BE-ja dhe SHBA-ja
O’Brien tha se prioriteti i Planit të Rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor është krijimi i një tregu të vetëm të qarkullimit të parasë, zvogëlimi i kostove, lehtësimi i lëvizjes së tregut dhe krijimi i më shumë vendeve të punës:
“Mesazhet e Planit janë që për çdo pjesëmarrës, mesazhi është i qartë – bëje punën tënde dhe mos kërko nga dikush tjetër të bëjë diçka më parë, për të bërë tënden”.
Varhelji tha se Plani i Rritjes nuk është më një draft, por një udhërrëfyes, i cili është i dobishëm për rajonin përpara se të anëtarësohet në BE:
“Për shkak të Planit të Rritjes dhe intensitetit të ndihmës nga plani ekonomik dhe investues, agjenda e reformave dhe ndihmës financiare shtesë deri në vitin 2027, Ballkani do të jetë gati, ose mund të jetë gati, ose mund të bëhet gati për t’u anëtarësuar në BE”.
Çfarë thonë liderët rajonalë?
Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Krishto, tha se vendi ra dakord për 110 reforma nga 113 që ishin propozuar fillimisht nga BE-ja.
“Rruga evropiane është synimi kryesor i politikës së jashtme, për të cilën ka një konsensus në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Kristo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar përkushtimin e tij për reformat që duhet të bëhen për të zbatuar Planin.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Është koha që rajoni të bëhet pjesë e portofolit digjital të Evropës. Individualisht, ne të gjithë u përfshimë dhe synojmë të jemi gati deri në vitin 2027”.
Ai theksoi bashkëpunimin në fushën e migracionit, trafikimit të qenieve njerëzore, “jo vetëm midis rajoneve, por edhe midis rajoneve dhe BE-së”.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se Plani i Rritjes do të sjellë rezultate të mira në rajon:
“Ne vlerësojmë dhe jemi mirënjohës për paratë, por më të rëndësishme se paratë, janë reformat strukturore që duhet të zbatojmë dhe këtë e vlerësojmë shumë.
Ai tha se është i bindur se vendet e rajonit nuk do të hyjnë në BE para Ukrainës.
“Inteligjenca ime më thotë se do të jetë kështu. E di që BE-ja është shumë e njohur në vendet tuaja. Jo aq shumë në të miat”.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, konfirmoi se janë të përkushtuar për reformat evropiane, duke vlerësuar se për suksesin e formimit të tregut të përbashkët, është i nevojshëm zhbllokimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore.