Nga dita e djeshme janë rikthyer çmimet e vjetra për sigurimin e autopërgjegjësisë për regjistrimin e automjeteve. Pas rekomandimit të Komisionit për Përgjegjësi Automobilistike pranë Ministrisë së Financave, Qeveria më 2 maj mori vendim që çmimet e sigurimit të detyrueshëm të autopërgjegjësisë t’i kthejë në nivelin e para 25 prillit, kur u rritën me 15.44 për qind, transmeton Portalb.mk.
Kompanitë e sigurimeve kanë nisur nga dita e djeshme aplikimin e vendimit të botuar në Gazetën Zyrtare dhe kanë kthyer çmimet e vjetra të sigurimeve.
Kompanitë e sigurimeve vlerësojnë se një vendim i tillë “përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin financiar të sektorit të sigurimeve, duke vendosur një kufi rregullues në politikat e çmimeve që është në kundërshtim me rekomandimet e KE-së në raportin për progresin e vendit tonë, gjë që mund të vënë në dyshim kujdesin për të siguruarit”.
Ata thonë gjithashtu se vendimi është bazuar vetëm në kualifikimet joprofesionale të ofruara nga rregullatori, Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS).
Kostoja e sigurimit të detyrueshëm të autopërgjegjësisë u rikthye në nivelin e para 25 prillit me vendim të qeverisë më 3 maj. Vendimi është marrë pas propozimit të Komisionit të Sigurimit të Autopërgjegjësisë pranë Ministrisë së Financave, i cili i ka dorëzuar Qeverisë informacion me propozim-ndryshime dhe shtesa në tarifën e primeve për sigurimin e pronarëve të mjeteve motorike nga përgjegjësia për dëmet e shkaktuara palëve të treta.