Grupet e punës së VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN vazhdojnë negociatat për Qeverinë e re, kurse VMRO-DPMNE, sic thonë, në këto negociata hynë me 61 deputet, respektivisht me shumicë të siguruar në Kuvend.
Lideri I VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, dje theksoi se krahas 58 deputetëve të koalicionit, kanë konsoliduar 61 deputetë kurse negociatat me koalicionin VLEN shkojnë në drejtim të duhur.
Por, Mickoski nuk dha detaje se cilët janë 3 deputetët që kanë ndryshuar “ngjyrat” partiake.
Jozyrtarisht, bëhet fjalë për deputetë të Partisë së Re SocialDemokrate dhe të Partisë Liberal-Demokrate, që ishin pjesë të koalicionit parazgjedhor “Për të ardhmen evropiane” që udhëhiqej nga LSDM-ja. Këto dy parti fituan katër mandate deputetësh.
VMRO-DPMNE aktualisht ka 58 deputetë, me 13 të VLEN-it dhe tre për të cilët thotë se janë bërë pjesë e VMRO-DPMNE-së, do të kishte 74 deputetë.
Nëse koalicionit qeveritar I bashkangjitet edhe Lëvizja “Znam” e Maksim Dimitrievskit me 6 deputetë, atëherë ky koalicion qeveritar do ta kishte edhe shumicën prej 2/3, shumicë të cilën e kërkoi Mickoski për të bërë ndryshime kyçe për funksionimin e ekzekutivit, sic është ulja e numrit të ministrive.
Grupet e punës VMRO-VLEN në takimin e parë, janë dakorduar që të respektohen parimet e veprimit – dinamizimi i përshpejtuar drejt integrimeve evropiane, lufta e pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit dhe reformat ekonomike për standard më të lartë të jetës.