Qeveria: Bilall Kasami pa bazë ligjore e ka nis ndërtimin e Stadiumit

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, pasi kërkoi mendim nga Gjykata Kushtetuese, shqyrtoi rastin me shfrytëzimin dhe zhvillimet rreth stadiumit të ri në Tetovë dhe solli disa konkluzione.

Qeveria në shqyrtimin e kishte parasysh nismën e parashtruar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së procedurave në lidhje me Stadiumin dhe ku tregohet se Stadiumi i ri i futbollit, me vendim të Qeverisë në vitin 2015, i është dhënë në shfrytëzim të përhershëm, pa kompensim Komunës së Tetovës. Komuna, siç theksohet, pa bazë ligjore, ia ka dhënë Stadiumin në shfrytëzim të përhershëm NP “Tetova transport”. Edhe kryetari i komunës së Tetovës, Komuna Tetovë dhe NP “Tetova transport” në një manifestim publik kanë promovuar projektin për rrënimin dhe ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit.

Qeveria në arritjen e konkluzioneve të mbledhjes së sotme ka marrë parasysh edhe dispozitat e Ligjit për shfrytëzimin dhe disponimin me sendet në pronë shtetërore dhe me sendet në pronë komunale, sipas së cilës kompetencë të lejojë shfrytëzim të përhershëm dhe të përcaktojë përfundimin e së drejtës së shfrytëzimit, ka vetëm Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Është konstatuar se Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë duhet të përgatisë informacione të plota lidhur me statusin e Stadiumit të Ri të Futbollit – Tetovë, PK nr. 11476. Në ndërkohë, t’i dërgohet një udhëzim Komunës së Tetovës, që të ndërpriten punimet në terren, derisa të ketë zgjidhje ligjore të rastit. Gjithashtu, Qeveria vendosi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me rekomandim, për të marrë parasysh urgjencën e këtij rasti dhe të deklarohet për Iniciativën e paraqitur për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së veprimit në të. Qeveria konkludoi gjithashtu se duhet të shqyrtohen bazat ligjore, sipas Kodit Penal, për fillimin e kallëzimit përkatës pranë organeve kompetente në lidhje me këtë rast.