Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Porfirije, ka thënë se po tentohet që serbët “të paraqiten si kryerës të gjenocidit”, ndërsa thotë se të njëjtit janë “viktima të shumë gjenocideve dhe spastrimeve etnike”.
Këtë deklaratë, ai e bëri kur po fliste për një rezolutë që është dërguar në OKB, përmes së cilës kërkohet që të shpallet dita ndërkombëtare e gjenocidit në Srebrenicë, shkruan Klankosova.tv.
Në adresimin e tij për festën e Pashkëve, Porfirije ka thënë po ashtu se Kosova është “djepi dhe shtëpia” e popullit serb.
Kosova është “edhe djepi edhe shtëpia jonë”.
“Në Kosovë”, tha ai, “në Serbinë e Vjetër, janë të gjallët dhe të rënët tanë. Nuk ka të vdekur. Ne jemi Kisha e të gjallëve. Ne jemi një popull i krishterë, populli i Kalvarit dhe i Ringjalljes. Ne jemi një popull me identitet të krishterë të shprehur përmes vakëfeve, të cilat përbëjnë kurorën më të dendur të lutjeve të tempujve në botë, kurorës që e kemi thurur në Kosovë. Dhe kjo është e vërteta për atë se çka qëndron në mal! Këtu ndërthuren e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja jonë”, tha Patriarku Porfirije.
“Sepse për ne kjo tokë e shenjtë nuk është një territor i zakonshëm, por pikërisht toka e shenjtë nga e cila do të zgjohet dhe do të ringjallet ‘fusha jonë me kocka të thata’”, u shpreh ai.
Patriarku i bëri thirrje popullit serb që të lutet dhe të jetë gjithmonë “me vëllezërit dhe motrat e vuajtur në Kosovë”.
“Me ata që janë në shënjestër të dhunës vetëm pse janë të krishterë ortodoksë, serbë ortodoksë, sepse janë të vetëm. Ata jetojnë në të ashtuquajturën paqe, në një ‘paqe’ në të cilën nuk ka liri, në një ‘paqe’ në të cilën ka vetëm frikë dhe padrejtësi”, deklaroi Patriarku Porfirije.