Pavarësisht protestave pro-palestineze, Izraeli kualifikohet në finalen e “Eurovision”

Këngëtarja e Izraelit, Eden Golan është kualifikuar në finalen e “Eurovision Song Contest” pasi një votimi publik. Fitorja e saj erdhi disa orë pasi mijëra protestues pro-palestinezë u mblodhën në rrugët e Suedisë ku dhe po mbahet konkursi për të treguar mbështetjen e tyre për Gazën. Duke folur pas emisionit, ajo tha se ishte e “mbërthyer nga emocionet”.

“Është me të vërtetë një privilegj të jesh këtu në skenë, duke përfaqësuar Izraelin me krenari. Unë jam shumë mirënjohëse për të gjithë ata që votuan dhe që na mbështetën”, tha ajo.

Pjesëmarrja e Izraelit në Eurovision ka qenë një burim polemikash mes rritjes së vdekjeve civile dhe përkeqësimit të situatës humanitare në Gaza, ndërsa lufta midis Izraelit dhe Hamasit hyn në muajin e shtatë.

Tymuese u hodhën në sheshin qendror të Malmö të Suedisë të enjten pasdite, së bashku me thirrjet “Palestinë e lirë”. Gjithashtu u zhvillua një tubim më i vogël në mbështetje të Izraelit.

Edhe pse protestat ishin kryesisht paqësore, policë të armatosur qëndrojnë jashtë hotelit ku është akomoduar Golan. Pas një pritjeje armiqësore në provat e veshjes, këngëtarja tha se asgjë nuk do ta pengojë atë të marrë pjesë në konkurs.

Përpara gjysmëfinales, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i dërgoi Golanit një mesazh mbështetjeje përmes mediave sociale.

“Eden, dua të të uroj suksese. E di çfarë? Ju tashmë ia keni dalë sepse jo vetëm që po konkurroni në Eurovision në një mënyrë krenare dhe shumë mbresëlënëse, por po përballeni me sukses edhe me një valë të shëmtuar antisemitizmi dhe po i qëndroni përballë dhe po përfaqësoni shtetin e Izraelit me nder te madh”, tha Netanyahu në mesazhin e tij.

Ndërkohë në gjysmëfinalen e dytë të Eurovision, Shqipëria u përfaqësua denjësisht me këngën “Titan”, kënduar nga Besa Kokëdhima, por nuk arriti të prekte finalen së bashku me Maltën, Belgjikën, Çekinë, Danimarkën dhe San Marinon. Shtetet që u kualifikuan në gjysmëfinalen e dytë ishin Letonia, Austria, Holanda, Norvegjia, Izraeli, Greqia, Estonia, Zvicra, Gjeorgjia dhe Armenia.