Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Bullgari në ngjarjen e organizuar nga Clinton Global Initiative, ka takuar sot presidentin bullgar Rumen Radev.
Presidentja Osmani ka thënë se presidentin bullgar e ka falënderuar për mbështetjen e fortë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
“Në takimin e sotëm në Sofje, më shumë se 1 vit nga vizita ime zyrtare në Bullgari dhe disa muaj pas vizitës së tij zyrtare në Kosovë, diskutuam rezultatet e punës sonë të përbashkët, si dhe vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit Kosovë-Bullgari”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.
Ndryshe, si e ftuar speciale në ngjarjen e organizuar nga Clinton Global Initiative, presidentja Osmani ka pasur sot një bashkëbisedim me ish-sekretaren Clinton, ku kanë trajtuar disa tema të rëndësishme.
Osmani gjithashtu ka falënderuar atë dhe gjithë popullin amerikan që kanë ndihmuar Kosovën.
“Për ekonomi të zhvilluara dhe gra të fuqizuara, parakusht janë liria, paqja dhe demokracia. Në një bashkëbisedim me Sekretaren Clinton sot, e falënderova atë personalisht, Presidentin Clinton dhe të gjithë popullin amerikan që na ndihmuan që sot t’i gëzojmë këto të drejta dhe po vazhdojnë të na ndihmojnë që shembulli e zëri i Kosovës të jehojnë anekënd botës”, ka deklaruar presidentja Osmani.
Clinton Global Initiative është themeluar në vitin 2005 nga ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton dhe ka për qëllim bashkimin e forcave të liderëve botëror për ofrimin e zgjidhjeve konkrete për sfida globale.