Njëri nga katër të plagosurit në Lupç të Podujevës është në rrezik për jetë

Një 50 vjeçar, që është në mesin e katër të plagosurve me armë zjarri në Lupç të Podujevë, është në rrezik për jetë. Kështu ka thënë mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente në QKUK, Agron Çitaku.

Çitaku tha se njëri person i plagosur, i moshës rreth 50 vjeçare, është në gjendje më të rëndë dhe pritet të operohet.

“Kanë mbërri katër raste. Trajtimi ka zgjatur deri tani. Dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë, dy më të lehtë. Ata mund të lëshohen. Ata kanë plagë shpuese dhe trajtimi është duke vazhduar. Njëri do të futet në sallë të operimit. Për momentin njëri prej tyre mund të themi se është në rrezik për jetë. Të tjerët jo”, ka deklaruar Çitaku.

Sipas burimeve të KosovaPressit të plagosurit janë disa anëtarë të familjeve Hoxha dhe Menxhiqi.

Pasditen e së mërkurës, katër persona kanë mbetur të plagosur, tre prej tyre me armë zjarri dhe një me thikë, si pasojë e një konflikti të armatosur në Lupç të Podujevës.

Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës, që ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave, e ku janë përdorur armët e zjarrit dhe thika.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka thënë se pas pranimit të informatës nga policia, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendngjarje.

“Nga hetimet fillestare dyshohet se pas një mosmarrëveshje mes disa personave (familjarë), në fshatin Lupç, si pasojë e të shtënave me armë zjarri dhe përdorimit të thikës, janë lënduar katër persona, të cilët janë dërguar për ta marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Një person i dyshuar në këtë ngjarje është shoqëruar në stacion policor për tu intervistuar”, ka thënë Ulaj.

Sipas zëdhënëses së Prokurorisë, Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore në drejtim të veprës penale “Vrasja në tentativë”, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti.