Netanyahu dënon kërkesën e GJNP-së për arrestimin e tij lidhur me veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dënoi të hënën vendimin e prokurorit të krimeve të luftës, që kërkon arrestimin e tij, duke e quajtur atë një “turp” dhe sulm ndaj ushtrisë izraelite dhe gjithë Izraelit.
Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan tha të hënën se ai ka kërkuar lëshimin e urdhër-arresteve për udhëheqësit izraelitë, duke përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe tre udhëheqës të Hamasit: Yehia Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh.
Zoti Khan thotë se të gjithë janë përgjegjës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe Izrael gjatë luftës shtatë-mujore mes Izraelit dhe Hamasit.
Përmes një deklarate, kryeministri Netanyahu tha se kërkesa për një urdhër arresti ishte “absurde” dhe “një përpjekje për t’i mohuar Izraelit të drejtën themelore për vetëmbrojtje”.
“Ju siguroj për një gjë: Kjo përpjekje do të dështojë plotësisht”, tha zoti Netanyahu.
“Tetëdhjetë vjet më parë, populli hebre ishte plotësisht i pambrojtur përballë armiqve tanë. Ato ditë kanë mbaruar. Tani populli hebre ka një shtet dhe ne kemi një ushtri për të mbrojtur shtetin tonë”, shtoi ai.
Ai gjithashtu e akuzoi kryeprokurorin Khan për minim të Gjykatës Ndëkombëtare Penale dhe për antisemitizëm.
“Abuzimi i këtij autoriteti nga zoti Khan do ta kthejë GJNP-në në një farsë. Ai po bën diçka tjetër. Ai po hedh benzinë mbi zjarret e antisemitizmit që po shpërthejnë në të gjithë botën.”
Zoti Netanyahu gjithashtu u zotua të vazhdojë luftën e Izraelit kundër militantëve të Hamasit.
“Për të gjithë armiqtë e Izraelit, duke përfshirë bashkëpunëtorët e tyre në Hagë, unë e përsërisë këtë zotim sot. Izraeli do të luftojë kundër Hamasit deri në fitore”, tha ai.
Militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor duke vrarë 1200 njerëz dhe marrë peng më shumë se 250 të tjerë, sipas qeverisë së Izraelit. Kjo shkaktoi ndërhyrjen në shkallë të gjerë të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës. Izraeli është zotuar ta shkatërrojë Hamasin.
Në luftën mes Izraelit dhe Hamasit janë vrarë të paktën 35 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, që drejtohet nga Hamasi. Rreth 80% e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur brenda territorit të Rripit të Gazës.
Izraeli thotë se përpiqet të shmangë viktimat në mesin e civilëve dhe ka fajësuar Hamasin për numrin e madh të viktimave dhe shkatërrimin, duke e akuzuar atë se i përdor palestinezët si mburoja njerëzore.
GJNP u krijua në vitin 2002 si gjykatë e përhershme për të ndjekur penalisht individët përgjegjës për mizoritë më të tmerrshme në botë – krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidin dhe krimin e agresionit.
Statuti i Romës në bazë të të cilit u krijua GJNP-ja u miratua në vitin 1998 dhe hyri në fuqi kur u ratifikua nga 60 vende më 1 korrik 2002. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi pro GJNP-së, por gjykata është e pavarur.
Pa një forcë policore të vetën, GJNP-ja mbështetet tek vendet anëtare për të arrestuar të dyshuarit, gjë që është bërë shpesh pengesë e madhe për ndjekjet penale.
124 shtetet anëtare të GJNP-së kanë nënshkruar Statutin e Romës. Dhjetra vende nuk e nënshkruan dhe nuk e pranojnë juridiksionin e gjykatës mbi krimet e luftës, gjenocidin dhe krimet e tjera. Ato përfshijnë Izraelin, Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën.
Edhe nëse urdhër-arrestet lëshohen, Netanyahu dhe Gallant nuk përballen me ndonjë rrezik të menjëhershëm për ndjekje penale. Por njoftimi i kryeprokurorit Khan thellon izolimin e Izraelit, ndërsa ushtria e tij vazhdon luftën kundër Hamasit dhe kërcënimet nga një arrestim i mundshëm mund t’i bëjnë më të vështira udhëtimet e udhëheqësve izraelitë jashtë vendit.
Vitin e kaluar, gjykata lëshoi urdhër-arrestin për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për krime lufte, të cilin e akuzon se është personalisht përgjegjës për rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina. Rusia u përgjigj duke lëshuar urdhrat e saj të arrestit për zotin Khan dhe gjyqtarët e GJNP-së.
Udhëheqës të tjerë të lartë të akuzuar nga gjykata përfshijnë udhëheqësin sudanez të larguar nga pushteti Omar al-Bashir me akuzat që përfshijnë gjenocidin në rajonin e Darfurit. Ish-udhëheqësi libian Moammar Gadafi u kap dhe u vra nga rebelët menjëherë pasi GJNP-ja lëshoi një urdhër për arrestimin e tij me akuza të lidhura me shtypjen brutale të protestave antiqeveritare në vitin 2011./VOA