Mehmeti: Loja politike e VMRO DPMNE-së rrezikon formimin e qeverisë

I ftuar në emisionin Klan Debat në Klan Maqedonia analisti Ibrahim Mehmeti ka diskutuar sfidat që priten në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare. Mehmeti ka kritikuar veprimet e VMRO-DPMNE-së, duke i cilësuar ato si pjesë të një loje politike që synon të shpallë fituesin para se votat të numërohen plotësisht.

“Situata aktuale tregon se VMRO-DPMNE po përpiqet të vendosë rregullat e lojës, duke u përpjekur të influencojë procesin e formimit të qeverisë,” tha Mehmeti. “Kjo sjellje është në kundërshtim me parimet e Marrëveshjes së Ohrit dhe mekanizmin e badenterit, të cilat garantojnë pjesëmarrjen e drejtë të komuniteteve të ndryshme në qeverisje.”

Mehmeti theksoi se VMRO-DPMNE nuk mund të vendosë unilateralisht se cilët përfaqësues të komuniteteve do të jenë pjesë e qeverisë, dhe se kjo qasje mund të krijojë tensione dhe të ngadalësojë procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në strukturat euroatlantike.

“Vazhdon kjo loja politike që ata e filluan shumë herët ta shpallin fituesin para zgjedhjeve. Do të ketë problem për formimin e qeverisë me këtë lojë të VMRO-së se ata vendosin se kë do të marrin në qeveri, kur ne e dimë shumë mirë se si funksionon badenteri dhe Marrëveshja e Ohrit ku VMRO-ja nuk mund të vendosi se kush shkon në qeveri nga komunitetet e tjera”, tha Mehmeti./tvklan.mk/