Më shumë se 20 jahte u dogjën nga zjarri në portin e Medulinit në Kroaci

Më shumë se 20 jahte janë shkatërruar nga zjarri në portin Medulin në bregdetin kroat.

Zjarri, siç raportojnë mediat kroate, ka rënë mëngjesin e sotëm në orën 03:55. Një orë më vonë u dëgjuan disa shpërthime dhe zjarri u përhap nga njëri jaht në tjetrin.

Sipas informacioneve nga shërbimi zjarrfikës në Pulë, zjarri është vënë nën kontroll që prej orës 7, por ende nuk është shuar.

Për momentin nuk ka të dhëna për viktima nga zjarri, ndërsa supozohet se numri i jahteve të djegura do të jetë edhe më i madh.

“Policia ka marrë njoftim për zjarr në marinë në Medulin rreth orës 03:55. Sipas informacioneve nga terreni, nga zjarri janë përfshirë rreth 20 mjete lundruese. Ndërprerja e energjisë elektrike është ende në vazhdim. Pasi zjarrfikësit të kenë shuar zjarrin, oficerët e policisë do të kryejnë një hetim për të përcaktuar shkakun e zjarrit”, thotë Susana Sokac, zëdhënëse e policisë së Istrias, raporton HRT.