Maqedonia e Veriut mes demokracisë dhe autokracisë

 

MERXHAN JAKUPI

 

Që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut, është herë e tretë që kam pasur rastin të votoj si mërgimtar që më se dyzet vjet po punoj dhe jetoj në Zvicër. Ajo që më së shumti më ka habitur, janë kontrastet dhe divergjencat që i kam vërejtur në mënyrën e fushatës parazgjedhore dhe zhvillimit të procesit të zgjedhjeve në shtetet perëndimore demokratike dhe në ato të Ballkanit Perëndimor, me një demokraci të brishtë, që ka mbetur peng mes  demokracisë së vërtetë dhe autokracisë.

 

LIDERËT POLITIKË DHE TIFOZËT

 

Në zgjedhjet e shteteve perëndimore, sidomos në Zvicër, nuk vërehen aspak turbulencat, manifestimet e ndryshme, përveç se debateve mes anëtarëve të subjekteve politike, nëpër rrugë pankarta të ngjitura të kandidatëve për në parlament dhe institucione të tjera. Nuk ka manifestime dhe tubime nëpër sheshe, me eufori të simpatizantëve, e as s’ dalin të festojnë fitoren së bashku me kandidatët nëpër rrugë të qyteteve. Në opinion, çdo gjë është normale, masa e gjerë nuk është e politizuar dhe e polarizuar. Në fund, pas mbarimit të zgjedhjeve, pala humbëse ia uron rivalit fitoren dhe së bashku pinë kafe.

Java që kaloi, në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut janë mbajtur manifestime dhe tubime të subjekteve politike. Në rrugët e qytetit tim (Tetovë) vëreja turma të njerëzve të ngazëllyer që ishin drejtuar për në sheshin qendror, ku subjektet politike do të mbanin manifestim të fitores. Në skenë, modertori me zë të lartë i lavdëronte deri në qiell liderët politikë. Ndërsa liderët e partive fitimtare të koalicionit vazhdonin me të flisnin stereotipe të vjetra, madje duke i fyer dhe etiketuar për intriga rivalët e tyre, ende me nacional- romantizëm, folklorizëm politik, ndërkaq publiku kthente me emocione, britma, ovacione dhe fishkëllime.

Liderët e Ballkanit Perëndimor më se tri dekada po i imitojnë politikë perëndimorë, por, në fund, përsëri mbetën ballkanas. Liderët e subjekteve politike, të veshur me kostume të reja, ende po trumbetojnë me sloganet, frazat dhe retorikën e vjetër se në mandatin e tyre do ta përshpejtojnë hyrjen e vendit në BE. Filozofi slloven, Sllaven Zhizhak, shkruan se liderët e Ballkanit Perëndimor po t’i vëzhgojmë në mënyrë psiko-analitike, do të konstatojmë se në thellësi të trurit të tyre kanë mentalitet oriental, kurse lëvorja përmban një fasadë nacional-komunist, të konvertuar në demokratë.

 

MAQEDONIA E VERIUT NË DUART E SË DJATHTËS POLITIKE

 

Një analist politik perëndimor, shkruan se liderët dhe burrështetasit, pas qeverisjes për një dekadë e më shumë, pësojnë ndryshime, ndërsa si shembuj mund të përmenden Putini, Erdogani e të tjerë. Këta liderë, në 10-vjeçarin e parë bënë ndryshime dhe reforma, ishin më liberalë dhe më të moderuar, por pas një dekade ata pësuan ndryshime në veprimet e veta, duke u bërë autokratë. Një gjë e tillë e ngjashme po ndodh edhe në Ballkanin Perëndimor, ku disa liderë mbetën në pushtet dhe në skenën politike më se dy dekada.

Zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut kanë treguar një tolerancë dhe emancipim të qytetarëve, sidomos të komuniteti shqiptar, që  votoi për ndryshime dhe reforma. E ardhmja e qytetarëve të këtij vendi më së shumti do të varet nga lideri dhe elita politike e VMRO-DPMNE-së, që erdhi në pushtet. Kjo parti e djathtë, me ide, koncepte, vizion dhe pragmatizëm, do ta drejtojë shtetin, sipas të gjitha gjasave me koalicionin opozitar VLEN. Sipas disa analistëve, kjo parti nacionaliste e së djathtës, qenka reformuar, me liderë dhe politikanë pragmatikë, por do të shihet se sa janë të gatshëm për të vazhduar me orientimin evropian të vendit.

Vështirë të parashikohen zhvillimet politike të shteteve në Ballkanin Perëndimor. Sipas disa njohësve të rrjedhave në këtë pjesë të Ballkanit, Mali i Zi ka qenë favorit për të hyrë në BE, por pas ardhjes së partive pro-ruse dhe pro-serbe, ky shtet humbi hapin e orientimit dhe filloi të destabilizohet, që e largon nga hyrja në BE. Po ashtu, edhe Maqedonia e Veriut mund të pësojë të njëjtin skenar. Po qe se VMRO vazhdon me diskursin dhe impaktin ideologjik e politik të ish-liderit, Nikolla Gruevskit dhe elitës nacionaliste, populiste dhe dogmatike, me flamuj mesjetarë dhe nacional-romantikë, me panasllavizëm dhe ortodoksizëm, anije e këtij vendi dalëngadalë do të fundoset.