Maqedoni, mbi 550 raste me kollën e keqe

Në periudhën prej 3 deri më 9 maj janë raportuar 15 raste me kollën e keqe, prej të cilave gjashtë persona janë shtruar në spital.

Për sa i përket shpërndarjes gjeografike, shumica e rasteve janë raportuar në kuadër të epidemisë në Shkup – 14, ndërsa një rast është raportuar edhe nga Kriva Pallanka.

Mosha e pacientëve varion nga një muaj deri në 62 vjeç, ndërsa numri më i madh i rasteve janë të grupmoshës deri në katër vjet, bën të ditur Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në raportin e fundit të publikuar sot.

“Deri më 9 maj, në vend janë regjistruar gjithsej 553 raste me kollë të keqe, me incidencë prej 30.1/100 mijë banorë. Kjo paraqet një rritje të disafishtë të numrit të pacientëve në krahasim me pesëvjeçarin e kaluar – nga viti 2019 deri në vitin 2023, kur janë regjistruar gjithsej 10 raste”.

“ISHP rikujton se janë dy epidemi të vazhdueshme, të raportuara në territorin e Shkupit dhe Kumanovës. Nga 18 janari deri më 9 maj, janë administruar gjithsej 45,715 doza të vaksinës që përmban një komponent të kollës së keqe”, thonë nga ISHP.