Në kohën kur koalicioni i partive opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, “VLEN”, pasi që humbi zgjedhjet në taborin shqiptar ndaj “Frontit Evropian”, ka filluar negociatat për formimin e qeverisë së re me Hristjan Mickoskin, kreun nacionalist maqedonas të VMRO-DPMNE-së, liderët e këtij koalicioni kanë vizituar në zyrën e tij Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të marrë “bekimin” e tij për koalicionin qeverisës me Mickoski-n.
Si në zgjedhjet presidenciale (24 prill), njashtu edhe në ato parlamentare (8 maj) në Maqedoni të Veriut, kryeministri Kurti kishte qenë i përfshirë drejtpërdrejtë duke i dhënë mbështetje të hapur koalicionit “VLEN” – madje kishte pasur në listat e tyre kandidat për deputet këshilltarin e tij Bekim Qoku – rrjedhimisht ishte rreshtuar kundër “Frontit Evropian”, që drejtohet nga Ali Ahmeti.
Mirëpo, përkundër mbështetjes së Kurtit, “VLEN” ka pësuar humbje në të dy proceset zgjedhore. Por, përkundër se humbës, kjo nuk i ka penguar ata që të fillojnë negociatat me partinë fituese maqedonase VMRO-DPMNE-në, duke e anashkaluar kështu parimin e fituesit në taboret përkatëse të dy popullsive shumicë në Maqedoni të Veriut.
Pas disa takimeve direkte që liderët e “VLEN”-it kanë pasur me Mickoski-n, të njëjtit tani kanë ardhur në Prishtinë për ta takuar atë që u dha mbështetje të hapur – por të pamjaftueshme për të fituar zgjedhjet – kryeministrin Kurti.