Krasniqi pas dështimit në KiE: Ditë e hidhur për Kosovën, Qeveria dështoi ta finalizojë një punë që ishte e kryer
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pasi Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës për seancën e 17 majit nuk e ka futur në rend dite anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Sipas Krasniqit sot do të duhej të festonim pranimin në Këshillin e Evropës, por në vend të kësaj jemi dëshmitarë të humbjes së mbështetjes nga partnerët ndërkombëtare.
Në postimin e tij në rrjetin social, Facebook, Krasniqi shtoi se Qeveria dështoi ta finalizojë një punë që ishte thuajse e kryer.
“Prandaj, shkuarja në zgjedhje të parakohshme, krijimi i një Qeverie të re, kredibile, kompetente dhe të përgjegjshme, që e heqë Kosovën nga izolimi dhe e orienton nga integrimi i sigurt euro-atlantik – është e domosdoshme. Sot, edhe zyrtarisht ky pushtet e ka humbur legjitimitetin. Shteti ka nevojë për qytetarët dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre”, shkroi ndër tjerash Krasniqi.