Izraeli ‘ultimatum’ Hamasit: Pranoni planin e armëpushimit brenda një jave ose nisim ofensivën në Rafah

Izraeli i ka dhënë Hamasit një javë kohë për marrëveshjen e armëpushimit ose do të nisë operacionin ushtarak në Rafah, thanë zyrtarët egjiptianë për Wall Street Journal të premten. Sipas zyrtarëve, Egjipti ka punuar me Izraelin për një propozim të rishikuar të armëpushimit që i paraqiti Hamasit fundjavën e kaluar.

Udhëheqja politike e Hamasit pritej të konsultohej me krahun e saj ushtarak në Gaza dhe të kthehej me pozicionet e veta. Por Yahya Sinwar, udhëheqësi ushtarak i grupit në Gaza, i cili besohet se fshihet në tunele në enklavë dhe merr vendimet përfundimtare, nuk është përgjigjur, thanë zyrtarët.