Ixhet Memeti pas bastisjes sot ka shkuar në punë, ka tentuar ti bindë kolegët se ai nuk ka lidhje me gjykatësin e arrestuar
Anëtari i dyshuar i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Ixhet Memeti, për të cilin Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion njoftoi se është nën hetim por nuk kërkon paraburgim, ka shkuar sot në punë.
Siç mësohet, ai ka mbledhur anëtarët e Këshillit, duke i bindur se nuk ka lidhje me gjyqtarin e supremes të arrestuar Naqe Georgiev, për të cilën u kërkua paraburgim për ryshfet prej 10.000 euro.
“Nuk e di çfarë ka bërë Naqeja, s’kam punë me të, as nuk kam qenë aty kur e kanë kapur me paratë”, ka tentuar ti bind kolegët e tij Ixhet Memeti.
Ai dhe Georgiev dyshohen për veprën penale “marrje e shpërblimit për ndikim të paligjshëm”. Ata i kanë premtuar djalit të ish-kryetarit të dënuar Boro Stojçev se për 10 mijë euro do ta ndihmojnë babain e tij në një tjetër hetim që po zhvillohet në Prokurorinë Publike për krim të organizuar dhe korrupsion.
Djali ka parë që të dy po e gënjejnë, ndaj i ka denoncuar në Ministrinë e Brendshme, ku i kanë dhënë kartëmonedha të shënuara. Kur ai ia dorëzoi paratë e shënuara Georgiev, policia është shfaqur dhe e kap Georgiev në flagrancë.
Gjykata themelore penale në Shkup pret që Naqe Georgiev të sillet para gjykatësit për procedurë paraprake, pasi mbrëmë Këshilli Gjyqësor në seancë urgjente ia hoqi imunitetin gjyqësor dhe i dha pëlqimin për masën e paraburgimit.
Memeti ka qenë Ministër i Drejtësisë, pastaj Avokati i Popullit për 16 vjet (dy mandate). Për një kohë të shkurtër mbeti pa post, Kuvendi e zgjodhi anëtar të Këshillit të Prokurorëve Publikë, ndonëse nuk kishte përvojë në këtë post
Vajza e tij u regjistrua dhe u diplomua në Akademinë për Gjyqtarë, tani ajo pret të zgjidhet gjyqtare. Edhe burri i saj ka mbaruar Akademinë, tani është prokuror në Gostivar.