Haradinaj: Dështimi në KiE i faturohet vetëm Albin Kurtit

Dështimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës (KiE) sot duhet t’i faturohet kryeministrit Albin Kurti, thotë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Sipas Haradinajt, eksperimentet e Kurtit jo vetëm që e kanë dëmtuar imazhin e vendit, por po e dobësojnë edhe subjektivitetin e shtetit.

“Mospërfshirja e Kosovës për votim në Këshillin e Ministrave, është dështimi më i madh i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ky dështim i faturohet një njeriu e ai është, Albin Kurti. Eksperimentet e tij, jo vetëm që e kanë dëmtuar rëndë imazhin e vendit, por po e dobësojnë edhe subjektivitetin e shtetit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj u ka bërë thirrje shteteve të Bashkimit Evropian (BE) që të mos i ndëshkojnë qytetarët dhe shtetin e Kosovës, “për shkak të papërgjegjësisë dhe mungesës së seriozitetit të një njeriu, por të na e shtrijnë dorën e t’na e hapin rrugën e integrimit” teksa ka theksuar se “ne rrugë tjetër nuk kemi”.

Sot, Kosova ka dështuar të jetë pjesë e agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Strasburg.