“Gjenocid dhe sulme kundër civilëve”, Egjiptit i “humbet durimi”: Do t’i bashkohemi …

Egjipti ka deklaruar se do t’i bashkohet zyrtarisht padisë së ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Me anë të padisë akuzohet Izraeli për shkelje të detyrimeve të tij sipas Konventës së Gjenocidit në Rripin e Gazës.

Në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Egjipti tha se një hap i tillë vjen për shkak të agresionit në rritje të Izraelit kundër civilëve palestinezë.

“Ky hap po ndërmerret nën dritën e ashpërsisë dhe shtrirjes së sulmeve izraelite kundër civilëve palestinezë në Rripin e Gazës, dhe kryerjen e vazhdueshme të praktikave sistematike kundër popullit palestinez, duke përfshirë shënjestrimin e drejtpërdrejtë të civilëve dhe shkatërrimin e infrastrukturës në Rripin e Gazës, duke i shtyrë palestinezët të ikin”, tha ministria.

Egjipti tha se kërkon që forcat izraelite të mos kryejnë asnjë shkelje kundër popullit palestinez.

Në deklaratë, Egjipti rinovoi thirrjen e tij drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB dhe ndërkombëtarëve që menjëherë të ndërmarrin veprime për të arritur një armëpushim në Rripin e Gazës, për të ndaluar operacionet ushtarake në Rafah, si dhe për të ofruar mbrojtjen e nevojshme për civilët palestinezë.