Kryeministri Talat Xhaferi sot përmes konferencës për shtyp si përfaqësues i Frontit Europian ka deklaruar se qytetarët janë të gatshëm të marin detyra dhe përgjegjësi, andaj siç tha ai dëshmuan se përgjegjësinë për udhëheqjen e shtetit e mbajnë në mënyrë të barabartë duke qenë shembull i pjekurisë dhe respektit të ndërsjellë.
Në vazhdim fjalimi i plotë:
Të tubuar për të dëshmuar dhe falënderuar për mbështetjen dhe besimin që e kemi pasur gjithmonë nga ju. Falë kësaj mbështetjeje, por edhe besimit të plotë të liderit Ahmeti, unë ju drejtohem si Kryeministri i parë shqiptar dhe njëherazi, si kandidat për deputet.
Drejtohem me ndërgjegje të qetë, sepse atë që e premtova kur e mora detyrën e përgjegjshme të Kryeministrit, e zbatova dhe vazhdoj ta zbatoj me përpikëri. Punoja me përkushtim dhe profesionalizëm. I bindur se do i mënjanojmë njëherë e përgjithmonë paragjykimet dhe stereotipat e ngulitura në mentalitetin e gjerë se, shqiptarët nuk munden, nuk dinë dhe nuk kanë të drejtë!
Përkundrazi!
Nuk ju kam zhgënjyer as ju, as qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Qeveria, nën prirjen time, edhe pse prioritetin e parë e ka mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta presidenciale dhe parlamentare në mënyrë të drejtë dhe demokratike, Ju siguroj, dhe vetë ju jeni dëshmitarë, në asnjë çast nuk ishte jashtë kornizës së institucionit funksional dhe të besueshëm për ju, të nderuar qytetarë!
Ishim aty për çdo kërkesë dhe në shërbimin tuaj! Dëshmuam se përgjegjësinë për udhëheqjen e shtetit e mbajmë në mënyrë të barabartë duke qenë shembull i pjekurisë dhe respektit të ndërsjellë. Dëshmuam se mund të qeverisim me përgjegjësi me mbarë vendin, në të gjitha rrethanat dhe me të gjithë qytetarët. Janë vlera që i kultivojmë që nga pavarësia e shtetit, për të ndërtuar shtet dhe shoqëri të barabartë.
Shqiptarët munden, dinë dhe kanë potencial akoma më të madh. Shqiptarët, janë të gatshëm për NJË KRYEMINISTËR PËR TË GJITHË!
Një Kryeministër i cili do të praktikojë QEVERISJE TË MIRË që karakterizohet me – transparencë, pjesëmarrje, efikasitet, përgjegjshmëri, llogaridhënie, barazi, konsensus dhe kohezion;
Do të kujdeset për SUNDIMIN E LIGJIT DHE TË DREJTËS;
Do të luftojë KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR;
Do të mbajë llogari për një ADMINISTRATË PROFESIONALE DHE SHËRBIME PUBLIKE TË DIGJITALIZUARA;
Do të kujdeset që RENDI DHE SIGURIA të zbatohen nga organet e rendit dhe sigurisë në mënyrë që të garantojnë lirinë, paqen dhe sigurinë për çdo qytetar dhe subjekt juridik;
Dhe mbi të gjitha, një Kryeministër i cili do të qëndrojë fortë prapa qëndrimit tonë i cili thotë fuqishëm – JO RUSISË, PO EVROPËS. Duke punuar me përkushtim për:
– Integrimin e vendit në Bashkimin Evropian;
– Bërjen e ndryshimeve kushtetuese në vitin 2024;
– Hapjen e kapitujve në negociatat me Bashkimin Evropian në vitin 2024 dhe më në fund:
– Anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian në vitin 2030.
Për të arritur këtë, nuk do të mungojë por e kundërta, do e fuqizojë akoma më shumë BASHKËPUNIMIN RAJONAL në suazat e nismave të mirënjohura, gj.gj.:
– Procesi i Berlinit
– Plani i Rritjes ekonomike të Ballkanit Perëndimor i Bashkimit Evropian
Sepse ne, gjeografikisht dhe si civilizim, jemi pjesë e Evropës dhe për ne, siç kanë thënë rilindësit, dielli lind në Perëndim, në Evropë!
Kryeministri për të gjithë do të kujdeset që:
– të vazhdojnë politikat e qëndrimeve të sigurisë dhe politikës së jashtme të unifikuara sipas NATO-s;
– të vazhdojnë qëndrimet e unifikuara të sigurisë dhe politikës së jashtme me Bashkimin Evropian:
– për të parandaluar ndikimin Rus në Maqedoninë e Veriut dhe për të mirëmbajtur
Partneritetin dhe dialogun strategjik me SHBA-në. .
Prandaj na duhet mbështetje e fuqishme prej jush,
– për të vazhduar politikën pro-evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut;
– Për të mirën e shtetit;
– Për të mirën e fëmijëve dhe brezave të rinj!
Prandaj:
TË GJITHË PËR NUMRIN 4!
VOTONI 4!