E takoi Presidentin e Iranit disa orë para se t’i rrëzohej helikopteri, Aliyev: Jemi thellësisht të brengosur
E takoi Presidentin e Iranit disa orë para se t’i rrëzohej helikopteri, Aliyev: Jemi thellësisht të brengosur
Ilham Aliyev, president i Azerbejxhanit, është shprehur i shqetësuar për uljen e ashpër të helikopterit në të cilin ndodhej presidenti i Iranit Ebrahim Raisi dhe delagacioni i tij. Kjo ngjarje ndodhi disa orë pas takimit që zhvilluan dyshja, Aliyev-Raisi.
Në reagimin e tij, Aliyev thotë se Republika e Azerbajxhanit është e gatshme të ofrojë çdo ndihmë të nevojshme lidhur me këtë ngjarje si dhe lutet për fatin e presidentit Raisi dhe delegacionit të tij.
“Sot, pasi i dhamë përshëndetjen miqësore Presidentit të Republikës Islamike të Iranit, Ebrahim Raisi, u shqetësuam thellësisht nga lajmi i një helikopteri që transportonte delegacionin më të lartë duke u ulur në Iran. Lutjet tona drejtuar Allahut të Madhëruar janë me Presidentin Ebrahim Raisi dhe delegacionin që e shoqëron. Si një vend fqinj, mik dhe vëlla, Republika e Azerbajxhanit është e gatshme të ofrojë çdo ndihmë të nevojshme”, thuhet në reagimin e tij.
Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar helikopterin në të cilin ka qenë presidenti iranian, Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian, i cili, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve iraniane, IRNA, ka pësuar “ulje të ashpër” në një mot me mjegull në teren malor, në veriperëndim të Iranit.
Presidenti iranian ka qenë duke udhëtuar në Azerbajxhanin Lindor, provincë iraniane.
Televizioni shtetëror ka thënë se incidenti ka ndodhur afër Xholfas, qytetit në kufi me shtetin e Azerbajxhanit, rreth 600 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit iranian, Teheranit.
Në atë zonë është raportuar për shira të rrëmbyeshëm dhe erë të fortë.
Raisi ka qenë në Azerbajxhan të dielën, për të inauguruar një digë, bashkë me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Kjo digë është e treta që ndërtojnë dy vendet mbi lumin Aras.