“E grabitën dhe e futën në veturë, e sulmuan me thikë dhe ia morën paratë” – mes tre të dyshuarve edhe një polic, njëri në arrati

Prokurori publik nga Prokuroria Publike Themelore Shkup ka sjell urdhër që të realizohet hetim kundër dy personave, të cilët si bashkëkryerës dyshohen për vepra penale – vjedhje dhe kundërligjshëm privim nga liria.

Që të dy dyshohen se më 23 prill kundërligjshëm kanë privuar nga liria një person, duke e thirr që t’u dalë në ndihmë, ku më pas me forcë e kanë futur në veturë dhe e kanë dërguar në urën “Bellasica” në Shkup, njoftojnë nga Prokuroria.

“Me veturën ka ngasur personi i tretë – nëpunës policor kundër të cilit vijon procedurë e ndarë dhe do ta udhëheqë Sektori për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe pjesëtarë të policisë së burgut në kuadër të Prokurorisë Publike Themelore për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit. Derisa polici ka ngasur me veturën, që të dy të dyshuarit e kanë kërcënuar të dëmtuarin dhe i kanë shkaktuar plagë me thikë në këmbë. Kur kanë arritur tek ura, me dhunë e kanë hequr nga vetura dhe të tretë e kanë sulmuar fizikisht me grushte në trup, duke i shkaktuar lëndime të rënda. Ia kanë marrë 8000 denarë, aq sa ka pasur i dëmtuari me vete dhe më pas e kanë lëshuar që të shkojë duke e kërcënuar që nëse deri më 1 maj nuk ua paguan 10.000 euro, do ta vrasin dhe atë dhe babain e tij”, qëndron më tej në njoftim.

Prokuroria deri te Gjykata Themelore Penale Shkup ka parashtruar kërkesë për shqiptim të paraburgimit kundër tyre.

Njëri nga ata, siç bëjnë të ditur nga Prokuroria është në arrati.