Shtetet e Bashkuara mbeten fort të përkushtuara ndaj Marrëveshjes së Prespës dhe integrimit të Maqedonisë së Veriut në institucionet euroatlantike, tha një përfaqësues i Departamentit të Shtetit pas zgjedhjeve të mbajtura më 8 maj.
Qëndrimi i përfaqësuesit të ministrisë amerikane erdhi pas një pyetjeje të korrespondentëve grekë në Uashington, për faktin se presidenti i ri ka shkelur Marrëveshjen, duke e quajtur vendin tonë gjatë betimit Maqedoni dhe jo Maqedonia e Veriut, siç është emri i saj kushtetues.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten fort të përkushtuara ndaj Marrëveshjes së Prespës dhe integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Me formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e kryeministrit, ne do të vazhdojmë të përforcojmë rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përfitimeve të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, tha në një deklaratë zëdhënësja Lena Argiri.