Mbretëria e Bashkuar ka premtuar 3 miliard funte (mbi 3 miliardë e 500 milionë euro) në vit ndihmë për Ukrainën.
Kjo do të bëhet “për aq kohë sa është e nevojshme” për të dhënë ndihmën, tha të enjten sekretari i jashtëm britanik, David Cameron.
Ai kështu u shpreh në vizitën e tij të dytë në Ukrainë, që kur e mori postin të cilin e gëzon aktualisht.
Cameron tha gjithashtu se nuk kishte asnjë kundërshtim nëse armët e furnizuara nga Britania e Madhe do të përdoreshin për të goditur brenda Rusisë.
Ai takoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, dhe ministrin e Jashtëm, Dmytro Kuleba, në udhëtimin e tij, raporton The Guardian, transmeton Klankosova.tv.
Cameron e ka bërë sigurimin e armëve shtesë për Ukrainën një nga prioritetet e tij kryesore si sekretar i jashtëm.
Njoftimi i tij është premtimi më i madh i shpenzimeve të Mbretërisë së Bashkuar që nga pushtimi i plotë i Rusisë në vitin 2022.