Autoritetet në Kosovë kanë kryer një operacion policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, që rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.
Policia e Kosovës, që bashkëngjiti fotografi të parave të konfiskuara, tha se u gjeti “rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinarë serbë, rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë, rreth 40 dollarë australianë”.
Aksionin policor në veri, zyrtarë të lartë në Serbi e dënuan ashpër, duke e cilësuar “të paligjshëm”. Nga Beogradi pati thirrje drejtuar komunitetit ndërkombëtar që të ndalë veprimet nga Kosova, që sipas tyre, po “kërcënojnë mbijetesën” e serbëve në Kosovë.
Policia e Kosovës tha se aksioni në veri të Kosovës u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, sikurse njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës. Në aksion mori pjesë edhe Administrata Tatimore e Kosovës./REL