A ka patur urdhëra për grabitje mandatesh në bodrumet e kuqe?

Medai Shaholli

Menjëherë pas mbajtjes se zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, me ç’rast u konstatua debakli i socialdemokratëve si subjekt i dytë opozitar pas Frontit Europian, ku sedra e sëmurë e shovinizmit sllavo-maqedon brenda titistëve të rinj, nuk e gëlltiti dot disfatën e rëndë por ndërmori aksionin e paparë në historinë e zgjedhjeve në “drzhavën Severna”, së bashku me komitët e Mickos duke organizuar rivotim të sajuar me anën e levës KSHZ, në dy zona zgjedhore për të devijuar vullnetin e votuesve shqiptarë përmes grabitjes së mandateve me rivotim si korrigjim të “parregullsive të konstatuara” më 8 maj.

Ata të dy së bashku si VMRO-ja dhe SDSM-ja, i bashkuan forcat si dy kundërshtarë të përbetuar, u hodhën në sulm kundër shqiptarëve në bashkëpunim edhe me VLEN-in përmes levës KSHZ, ata inskenuan parregullësi në dy njësi zgjedhore, te e gjashta dhe e pesta, ku sipas burimeve të pakonfirmuara parashihet t’i grabiten në rivotim për nesër më 22 maj, dy deputetë të Frontit Europian për t’ia dorëzuar një VLEN-it (në njësinë zgjedhore 6) dhe një SDSM-ose VMRO-së, (në njësinë 5) me të vetmin qëllim ringjitjen e socialdemokratëve në vendin e parë si opozitë.

Për këtë maskaradë elektorale të inskenuar në “bodrumet e kuqe” të pushtetit, gjithmonë sipas burimeve ende të pakonfirmuara është përgatitur revanshizmi ndaj Frontit Europian, jo si subjekt politik por si intitucion i opozitës shqiptare, ( ky qëndrim nuk duhet kuptuar si mbështetje për Frontin Europian por si devijim i vullnetit të sovranit dhe si padrejtësi për opozitën e re shqiptare si institucion )
duke ia grabitur vendin e opozitës më të madhe si subjekt shqiptar që ka mposhtur titistët e rinj të liderit Dhimo Kovaçi, të cilët pësun humbjen më të rëndë në historinë e saj pas dy mandatesh të qëndrimit në pushtet së bashku me ish partnerët integristë të Ali Ahmetit.

Nëse konfirmohen ndërhyrjet dhe urdhëresat e shtabeve politike të SDSM-VMRO-VLEN me levën KSHZ në “bodrumet e kuqe”, atëherë shqiptarët nuk duhet t’i njohin ato zgjedhje duke i konsideruar si jolegjitime që nuk përfaqësojnë votuesit shqiptarë dhe as vullnetin e tyre politik.

Kjo farsë e rivotimit paraqet grusht shteti, i shkaktuar brenda KSHZ, e cila u përdor si mashë nga shovinizmi sllavo-maqedon për të devijuar vullnetin e zgjedhësve shqiptar përmes rivotimit të stisur, duke grabitur dy mandate deputetësh nga Fronti Europian drejt VLEN-it dhe SDSM-së apo VMRO-së.

Po i njëjti qëndrim do mbahej nga cilido votues shqiptar në pozitë apo në opozitë nëse do të ndodhte edhe me grabitjen mandatit të VLEN-it nga orekset e babëzitura të shovinizmit maqedon dhe këtu nuk ka asnjë dilemë kur flitet për votën shqiptare.

Ndaj, me këtë atentat kundër vullnetit politik të shqiptarëve që thuhet se është përgatitur në “bodrumet e kuqe”, (shpresojmë që të mos jetë e vërtetë) trimat e VLEN-it nuk do të kenë më “surrat” për të folur në foltoren e parlamentit të ri në emër të shqiptarëve, pasi ata nuk do të përfaqësojnë më shqiptarët por bishtin e komitëve të VMRO-së.