Arben Taravari, ish-kandidat për President të Maqedonisë së Veriut, kishte thënë se nëse humb zgjedhjet parlamentare, të cilat u mbajtën këtë të mërkurë, do të jap dorëheqje.
Mirëpo, me mbi 60 për qind të votave të numëruara deri më tani, koalicioni ku Taravari bënë pjesë, pra “VLEN”, është duke humbur me një diferencë rreth 20 mijë votash ndaj “Frontit Evropian”.
Përkundër kësaj, Taravari nuk ka dhënë ende dorëheqje, përkundrazi, ndonëse shifrat flasin ndryshe, ai pretendon se është fitues i votës në kampin shqiptar.
Çka kishte thënë Taravari?
Më 6 prill, Arben Taravari, në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, ai kishte thënë se nuk fiton zgjedhjet parlamentare do të dorëheqet.
“Kështu është në të gjithë botën perëndimore, kështu është në të gjitha demokracitë e zhvilluara. Nëse humbisni zgjedhjet, të paktën përballë autoriteteve partiake… edhe pse pati zhvillime të caktuara në vendin tonë, nuk më lejuan bashkëpartiakët t’i përfundoja të paktën një palë zgjedhje. Dhe unë u thashë, kërkoj besim nga të gjithë ju. Nëse nuk fitojmë më 8 maj, unë jam këtu për të dhënë dorëheqjen dhe nuk do të kishte asnjë forcë që mund të më ndalonte të jap dorëheqjen nëse do të ishim të bashkuar dhe nuk do të fitonim. Dhe kështu do të fitojmë”, kishte thënë Taravari.
Ndryshe, me mbi 60 për qind të votave të numëruara, “Fronti Evropian”, është duke prirë në taborin shqiptar me 16 për qind, apo 95 mijë e 578 vota totale, ndaj koalicionit “VLEN”, i cili ka 13.31 për qind, apo 78 mijë e 193 vota.
Ndërsa, në kampin maqedonas është duke udhëhequr bindshëm partia nacionaliste opozitare maqedonase me 40.47 për qind, apo 237 mijë 813 vota.
Nga ana tjetër, rezultat të dobët ka marrë partia që kishte deri më tani pushtetin, LSDM. Kjo parti ka grumbulluar 81 mijë e 134 vota, apo 13, 81 për qind./AlbanianPost/