Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi ka njoftuar në faqen e tij të facebook se është shkarkuar nga detyra në mënyrë të “dhunshme” sikurse e quan ai, nga autoritetet serbe me urdhër të presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Arifi shkruan se shkarkimi i tij nga kryetar i komunës së Preshevës u bë në mënyrë arbitrare dhe duke mos ndjekur asnjë procedurë ligjore, si dhe pa asnjë njoftim zyrtar.
“Dje në mesnatë, pushteti autoritar i Beogradit, në mënyrë arbitrare dhe duke mos ndjekur asnjë procedurë ligjore, si dhe pa asnjë njoftim zyrtar, regjimi serb dhe antishqiptar duke vazhduar traditën e Millosheviqit të viteve të 90ta, në mënyrë të dhunshme më SHKARKUAN nga posti i Kryetarit të Komunës së Preshevës. Njëkohësisht, ky regjim antishqiptar dhunshëm instaloi një organ të përkohshëm deri në zgjedhjet e ardhshme”shkruan ai.
Ka disa kohë që Vuçiq kërcënon publikisht shqiptarët e Luginës së Preshevës, thotë Arifi duke denoncuar se, “SHKARKIMI i dhunshëm i imi, mesnatën e mbrëmshme, pa asnjë procedur ligjore dhe asnjë njoftim, ndodh menjëherë pas kërcënimit të fundit publik të Vuçiqit në këtë javë dhe 24 orë pasi u dënova nga Gjykata serbe për vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar më 28 Nëntor”.
Me këto veprime raciste antishqiptare që janë trashëgimi e politikave të regjimit të Millosheviqit, Serbia e sotshme e Vuçiqit dëshmon tani më 3 dekada e më shumë, se shqiptarët nuk i konsideron si qenie njerëzore dhe asesi qyetatarë të barabartë në Serbi. Diskriminimi ndaj shqiptarëve është agjendë e pandërprerë e politikave të Vuçiqit dhe Serbisë së tij pro-ruse.
Sakaq ai shkruan se, “pra, në boshtin shoqëror të Serbisë dhe në edukimin filozofiko-politik të Serbisë, ky shtet mbetet në thelb një regjim autokrat i cili nacionalizmin ekstrem serb e përdor kundrejt të gjithëve, në veçanti të shqiptarëve e sidomos ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.