Një grua ka mbetur e vrarë nga të shtënat me armë zjarri në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, pasditen e 12 prillit, konfirmoi Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, tha për Radion Evropa e Lirë se gruaja ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërkaq është plagosur edhe një i mitur “i cili është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj”.
“I dyshuari pasi ka shtënë me armë zjarri është larguar në drejtim të panjohur”, tha ai, duke shtuar se policia rreth orës 15:15 ka arritur që ta arrestojë atë.
“Ekipet e hetuesve dhe teknikët për krime janë në vendin e ngjarjes janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërkaq për të gjitha veprimet policore është njoftuar Prokurori i Shtetit”, tha Veseli.
Prokuroria Themelore në Ferizaj tha se i dyshuari, me iniciale, V.A, është dërguar në mbajtje prej 48-orësh. Ky institucion tha se do të parashtrojë kërkesën për caktimin e paraburgimit për të dyshuarin.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se pavarësisht angazhimit të institucioneve, “gratë ende nuk janë të sigurta”.
“Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromis në adresimin e këtyre rasteve”, shkroi Haxhiu në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook.