Tre djem të liderit politik të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – janë vrarë nga një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës të mërkurën.
Hamasi tha se në këtë sulm u vranë edhe katër nipër e mbesa të liderit të vet.
Djemtë e Ismail Haniyeh janë në mesin e figurave të profilit më të lartë që janë vrarë deri tani në këtë luftë.
Izraeli tha se djemtë e tij ishin operativë të Hamasit, ndërsa Haniyeh e akuzoi Izraelin se veproi “në frymën e hakmarrjes dhe vrasjes”.
Vrasja e tyre rrezikon të ndikojë në bisedimet e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët për armëpushim në Gazë, të cilat filluan të shënojnë përparim në ditët e fundit, pavarësisht se mes palëve ka ende goxha dallime në çështjet kryesore.
Po ashtu, ata u vranë në një kohë kur Izraeli po përballet me trysni të madhe – posaçërisht nga aleati i vet kryesor, SHBA – për ta ndryshuar mënyrën se si po e kryen luftën në Gazë, në veçanti kur bëhet fjalë për ndihmat humanitare për të cilat kanë aq shumë nevojë palestinezët.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se beson se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, po bën “gabim” në mënyrën se si po e trajton Gazën.
“Unë mendoj se kjo që po bën ai, është gabim. Nuk jam dakord me qasjen e tij”, tha Biden në një intervistë për Univision – një rrjet televiziv në gjuhën spanjolle.
Haniyeh ka thënë se Hamasi nuk do të dorëzohet para trysnisë pas sulmit kundër familjes së tij.
“Armiku beson se, duke i sulmuar familjet e liderëve, do t’i shtyjë ata të heqin dorë nga kërkesat e popullit tonë”, tha Haniyeh për Al Jazeera.
“Kushdo që beson se sulmi ndaj djemve të mi do ta shtyjë Hamasin ta ndryshojë qëndrimin e vet, e gënjen veten”, shtoi ai.
Izraeli tha se djemtë e Haniyeh kanë kryer veprimtari militante në qendër të Rripit të Gazës, por nuk dha hollësi të tjera.
Izraeli nuk komentoi fare për vrasjen e nipërve dhe mbesave të tij.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do të arrijë “fitore të plotë”, dhe se do t’ia shkatërrojë Hamasit aftësitë qeverisëse dhe ushtarake për ta parandaluar përsëritjen e sulmit të 7 tetorit.
Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje për sulmin e Hamasit në jug të Izraelit, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen 250 të tjerë, sipas autoriteteve izraelite.
Më shumë se 33.400 palestinezë janë vrarë në luftimet e pareshtura në Gazë, sipas zyrtarëve shëndetësorë në enklavën palestineze, të cilët nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve kur i llogarisin viktimat. Por, sipas tyre, shumica e të vrarëve janë gra dhe fëmijë.
Izraeli thotë se i ka vrarë 12.000 militantë, por nuk ka dhënë dëshmi për këtë./REL