Një grua është vrarë sot në në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj pas disa të shtënave me armë zjarri.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Një grua ka mbetur e vrarë, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur. I dyshuari është arrestuar nga policia pak pasi ka ndodhur ngjarja. Ai dyshohet që është ish-bashkëshorti i gruas së vrarë.
Sipas Gazetës Sinjali, gruaja e vrarë është 21 vjeçare me inicialet E.C, ndërsa i dyshuari 36 vjeçar V.A.
“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Për pasojë nga të shtënat e armës së zjarrit një person i gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa është plagosur një person i gjinisë mashkullore, i cili është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj. I dyshuari pasi ka shtënë me armë zjarri është larguar në drejtim të panjohur. Ekipe të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në ora 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje”, ka thënë për Gazetën Express zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.