Sudani i Jugut, Libia dhe Afganistani janë vendet më të rrezikshme në botë për t’u vizituar në vitin 2024, sipas rezultateve të hulumtimit të kompanisë “International SOS”.
Kompania ka publikuar një hartë interaktive që tregon se ku udhëtarët kanë më shumë gjasa të përballen me kërcënime të sigurisë bazuar në rrezikun e dhunës politike, trazirave sociale, krimit të dhunshëm dhe, këtë vit, ndikimin e ndryshimeve klimatike.
Ndër vendet më të sigurta për t’u vizituar janë Grenlanda, Finlanda, Norvegjia, Islanda dhe Luksemburgu, dhe “International SOS” thotë se kërcënimet e sigurisë në këto vende janë të papërfillshme. Në të kundërt, Libia, Sudani i Jugut, Siria, Ukraina dhe Iraku janë ndër më të rrezikshmet për t’u vizituar.
Në vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore – Venezuelë, Honduras dhe Haiti – rreziku i sigurisë për udhëtarët konsiderohet i lartë pas rritjes së krimit dhe trazirave.
Vendet me rrezikun më të lartë që mund të sjellin probleme shëndetësore përfshijnë vendet afrikane të Nigerisë, Sudanit, Libisë, Republikës së Afrikës Qendrore, Somalisë dhe Sierra Leones. Jemeni është përcaktuar gjithashtu si vend me rrezik të lartë, siç është Iraku, Siria dhe Koreja e Veriut.
Vendet me rrezik të ulët të problemeve shëndetësore janë shumica në Evropë, Kanada, SHBA, Zelandën e Re, Australi, Afrikën e Jugut dhe Kili.
Këtë vit për herë të parë u përfshi një kategori që fokusohej në ndikimin e ndryshimeve klimatike në vendet e botës. Në Britaninë e Madhe, Francë, Gjermani, Spanjë dhe Itali, rreziku i ndryshimeve klimatike konsiderohet i ulët, por në vende si Nigeria, Republika Demokratike e Kongos dhe Siria, rreziku është shumë i lartë.