Nedai Shaholli
(Rrefenjë bulevardi)
Që thoni ju o shokë, këto ditë po bëhet nami andejza nga “drzhava Severna”, nuk ish parë e as nuk ish dëgjuar për një dukuri të rrallë si kjo thagma e javës, ku pa fanfara dhe pa ceremoni protokollare Kryekomiti Micko, tashmë i sigurt për fitoren e 8 majit, ka shpallur koalicionin e ri qeveritar “VMRO-VREDI”, para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare si një fakt i kryer.
Ku me këtë rast premieri i vetdeklaruar kryekomiti Micko, guxoi nxitimthi të marrë rolin e premierit dhe detyrën e re për t’i caktuar postet qeveritare për komitët dhe vojvodët e tij në pallatin e bardhë të qeverisë, duke marrë me vete edhe opozitën shqiptare që mendon se ia VLEN.
Kësisoj, që thoni ju more shokë, i vetemruari premier, pa e parë lumin ka “zbathur breçkat” në ujërat e harbuara të politikës me bindjen se tashmë si fitimtar i pamposhtur po ngjitet si premier në pallatin e bardhë.
Sapo të miratohet nga parlamenti i legjislaturës së re mandati i premierit, kryekomiti Micko ka thënë se menjëherë do të angazhohet për ta jetësuar programin e vetëm qeveritar “Shkupi 24”, si vazhdim i politikës së paraardhësit të tij Grujo, që mbase një ditë të bukur kthehet nga “kurbeti” dhe bëhet ministër i kësaj qeverie.
“Shkupi 2024” që thoni ju o shokë, nuk është tjatër veç vazhdim i politikës nacionshoviniste të komitëve të rinj dhe të vjetër me projekte të dalë boje, ku ata synojnë të ndërtojnë një “drzhavë” të komitëve për komitët, të rrethuar me monumente të sajuara të historisë së tyre mijëra vjeçare me përralla me mbret.
Prandaja o shokë, mejtohuni mirë para se të votoni se vota për Siljanovskën dhe për komitët më 8 maj, është votë për bllokimin e rrugës europiane dhe fillim i instalimit të diktaturës së re si dhe i politikës nacionaliste karshi shqiptarëve !
Ju bëni si të doni, jeni të lirë të votoni, por ama pastajza mos u qani nesër se na mbyti ky komiti i harbuar dhe kjo shushka plakë, që i dhamë votën dhe nuk ka bërë asgjë për ne shqipot vëndas den baba den të këtyre trojeve.
Ahere, ashtu siç u thashë o shokë, hapni kokërdhokët e syçkave dhe me mënd në kokë se pastaja, koka e bën, po koka vuan!
Një fundjavë të këndshme për të gjithë!