Shefki Kuqi: Ndoshta kanë kaluar shumë vite prejse kam luajtur futboll e nuk po i kuptoj disa rregulla


Lideri aktual dhe kampioni në fuqi, Ballkani ka shënuar fitore 0:2 në udhëtim ndaj Feronikelit 74.

Me këtë fitore, Ballkani shkon në kuotën e 59 pikëvë në vendin e parë, dy më shumë se Drita dhe pesë më shumë se Llapi që luan nesër.

Në anën tjetër, Feronikeli 74 mbetet i teti me 30 pikë gjithsej.

Pas ndeshjes, trajneri i Feronikelit 74, Shefki Kuqi u ankua në referim.

“Ishte lojë me dy pjesë të ndryshme. Pjesa e parë nuk ka qenë absolutisht ekipi dhe lojtarët që unë i njoh, pasi kemi luajtur mirë në ndeshjet e fundit. Në pjesën e dytë kemi bërë ndryshime dhe patëm shanse për ta barazuar rezultatin. Ballkani nuk bëri diçka përpos një penalltie. Unë nuk po i kuptoj disa rregulla. Ndoshta kanë kaluar shumë vite prejse kam luajtur unë futboll, ndoshta rregullat po ndryshojnë. Me secilin kundërshtar jemi ballafaquar në mënyrën më të mirë. Më shumë ishim të dobët ne se sa Ballkani i mirë. Disa gjëra po ndodhin dhe nuk po arrijë t’i kuptojë. Disa rregulla kanë ndryshuar”,deklaroi Kuqi.