Serbët kundër regjistrimit: A mund të ketë pasoja?

Banorët e komunave me shumicë serbe në Kosovë – Graçanicës, Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit – me të cilët ka biseduar ekipi i Radios Evropa e Lirë (REL), kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me pjesëmarrjen në regjistrimin e popullsisë që filloi më 5 prill dhe zgjat deri më 17 maj.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk u mbajt në katër komuna në veri – me shumicë serbe – ndërsa serbët në jug të lumit Ibër, me ftesë të Beogradit, kryesisht e bojkotuan procesin.

Mesazh i ngjashëm është shpërndarë edhe kësaj radhe, por jo nga Beogradi, dhe jo për bojkotim të procesit.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka konstatuar se serbët nuk do të marrin pjesë në regjistrim.

Kjo parti e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Pjesëtarët e kësaj partie janë edhe në krye të institucioneve që financohen nga buxheti i Serbisë.

Për shembull, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, është drejtor i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut.

Branimir Stojanoviq nga partia Lëvizja Popullore Serbe, ndonëse beson se “nuk është koha” për regjistrimin e popullsisë, thotë se është pothuajse e pamundur të anulohet procesi tani.

Ai thekson se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për pasojat me të cilat përballen nëse nuk marrin pjesë në regjistrim.

Alleksandar Arsenijeviq nga Demokracia Serbe beson se shtyrja për një kohë tjetër e regjistrimit të popullsisë është zgjidhja e vetme dhe se ky proces mund të zhvillohet kur të stabilizohet situata socio-politike.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milion, prej të cilëve rreth 25.000 janë serbë.

Megjithatë, sipas vlerësimeve të organizatave joqeveritare serbe në Kosovë, rreth 100.000 pjesëtarë të komunitetit serb jetojnë në Kosovë.

Çfarë thonë banorët në veri të Kosovës?
Miodragu nga Leposaviqi, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës, thotë se do t’i përgjigjet regjistrimit, përkundër mesazheve të politikanëve serbë se “nuk është koha për një gjë të tillë”.

“Koha po kalon, ndërkaq ne po vendnumërojmë. Ne jemi qytetarë të Kosovës dhe mendoj se duhet të regjistrohemi”, thotë ai.

Jellena, po ashtu nga Leposaviqi, nuk e di ende nëse do të regjistrohet.

“Nuk e di, për momentin nuk kam kurrfarë mendimi për këtë”, thotë ajo.

Dragani nga Mitrovica e Veriut thotë se nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë që filloi më 5 prill.

Si arsye ai thekson se autoritetet e Kosovës duan të tregojnë se sa pak serb jetojnë në Kosovë, për shkak të migrimit të madh të bashkëkombësve të tij në vitet e fundit.

“Populli ynë nuk është këtu. Njerëzit kanë shkuar në Serbi, por nuk kanë lajmëruar se e kanë bërë këtë”, thotë ai.

Sonja nga Mitrovica e Veriut ka vendosur t’i përgjigjet regjistrimit dhe thotë se ky proces nuk duhet të ndikohet nga politikanët, por që qytetarët të vendosin vetë nëse është në favor të tyre apo jo.

“Unë jetoj këtu dhe mendoj se do të qëndroj këtu për të jetuar. Nuk kam opsion tjetër, thjesht, jetoj këtu dhe do të regjistrohem”, thekson ajo.

Jasmina konsideron se serbët duhet të regjistrohen.

“Le të dihet se sa prej nesh jemi këtu, se kjo është e jona… shumica e njerëzve do të regjistrohen, pse jo? Le të dihet se sa jemi këtu dhe jo gjithmonë me hamendje të përjetshme”, shprehet ajo.

Qëndrimet e serbëve në jug të Ibrit
Banorët e Graçanicës, me të cilët ka biseduar ekipi i Radios Evropa e Lirë, kanë mendime të ndara.

Derisa Dragani nga kjo komunë me shumicë serbe, afër Prishtinës, thotë se “duhet të regjistrohemi sepse jetojmë këtu”, ka nga ata që shprehin skepticizëm.

Millica thotë se ende nuk ka vendosur nëse do t’i përgjigjet regjistrimit, por mendon se duhet të dihet numri i saktë i serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Duke qenë se nuk dihet sa serbë ka (në Kosovë), sa e kanë braktisur, sa kanë mbetur, cila është struktura sipas moshës, ndoshta duhet marrë pjesë (në regjistrim). Pra, që të dihet se me çfarë disponojmë këtu”, thotë ajo.

Por, Vesna konsideron se serbët nuk duhet të regjistrohen, “sepse populli tashmë është larguar”.

“Çfarë të regjistrojnë? Ata pak të varfër që kanë mbetur? Të gjithë ata që kishin pasuri, janë larguar nga këtu. Nuk e shoh qëllimin (për regjistrim të popullsisë)”, thotë ajo.

Pse përfaqësuesit politikë të serbëve janë kundër regjistrimit të popullsisë?
Përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë konsiderojnë se aktualisht nuk ka kushte për regjistrim të popullsisë. Sipas tyre, pushteti aktual në Kosovë nuk ka ndjesi ndaj komunitetit serb dhe po përpiqet të zvogëlojë rolin dhe rëndësinë e tyre në shoqëri.

Lista Serbe konstatoi se pjesëtarët e komunitetit serb nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, për shkak të, siç thonë nga kjo parti, “shtypjes” nga regjimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Si formë “shtypjeje”, Lista Serbe, ndër të tjera, përmend rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, i cili vështirësoi marrjen e pagesave në dinarë, të cilat paguhen nga buxheti i Serbisë.

Kjo rregullore ka hyrë në fuqi më 1 shkurt dhe parasheh euron si mjet të vetëm të pagesës me para të gatshme.

Branimir Stojanoviq nga Lëvizja Popullore Serbe, në deklaratën e tij për REL-in, përmend edhe “masat represive” të autoriteteve të Kosovës, duke shtuar se serbët në Kosovë janë gjithnjë e më pak për shkak të një sërë vendimesh të Qeverisë në Prishtinë.

“Numri i serbëve u zvogëlua, ndërkaq procesi i kthimit u ndërpre tërësisht. Në kushte të tilla, është e padrejtë dhe joreale të zbatohet regjistrimi, sepse shumë njerëz nuk janë në gjendje të kthehen, ndonëse dëshirojnë të kthehen”, thotë Stojanoviq.

Sipas të dhënave të Agjencisë së OKB-së për Refugjatë (UNHCR), rreth 200.000 persona janë zhvendosur nga Kosova në Serbi në periudhën 1999-2004.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, e cila është përgjegjëse për zbatimin e procesit të regjistrimit të popullsisë, ka publikuar pyetësorët në bazë të të cilëve regjistruesit do të mbledhin informata.

Në mesin e tyre është edhe ai për regjistrimin e familjarëve që jetojnë jashtë Kosovës.

Alleksandar Arsenijeviq, lider i Demokracisë Serbe nga Mitrovica e Veriut, thekson se largimi i serbëve nga Kosova është duke vazhduar për shkak të, siç e cilëson ai, “dhunës institucionale” të autoriteteve të Kosovës.

Ai konsideron se madje nuk ka kuptim të diskutohet për regjistrimin e popullsisë.

Sipas tij, Prishtina zyrtare dëshiron që serbët të mos regjistrohen, në mënyrë që pastaj të dëshmohet se ata nuk janë shumë dhe se nuk duhet të gëzojnë të drejta të mëdha.

Ai vlerëson se më së miri do të ishte që i gjithë procesi të shtyhej deri në normalizimin e situatës socio-politike.

“Klima politike nuk është asnjëherë e favorshme për regjistrim, por ne po flasim për një uragan që goditi komunitetin tonë. Jam i sigurt se ne si komunitet mund të marrim pjesë në regjistrim vetëm kur të normalizohet situata”, konsideron Arsenijeviq.

Pasojat nga bojkotimi i regjistrimit?
Megjithatë, Branimir Stojanoviq beson se qytetarët nga komuniteti serb duhet të vendosin vetë nëse do të marrin pjesë në regjistrim, duke theksuar se ata duhet të dinë se bojkoti do të ketë pasoja të drejtpërdrejta financiare për pushtetet lokale.

Bazuar në Ligjin për financimin e vetëqeverisjes lokale, ndarja e granteve shtetërore për komunat bazohet në numrin e popullsisë së përgjithshme, numrin e popullsisë pakicë dhe hapësirën gjeografike. Kjo do të thotë se regjistrimi i komuniteteve pakicë luan rol të rëndësishëm në ndarjen e buxhetit për komunat ku ata jetojnë.

“Bojkoti (i regjistrimit) mund të ketë edhe implikime serioze politike për proceset politike, në narracionin e mbështetur nga Kurti dhe shumë njerëz të afërt të tij nga Vetëvendosja, se ka shumë më pak serbë se sa ka në të vërtetë dhe për këtë arsye të drejtat që i kemi të garantuara janë shumë të mëdha”, thotë Stojanoviq.

Bekim Salihu nga Instituti për Studime të Avancuara GAP në Prishtinë, thotë se mospjesëmarrja e mundshme e serbëve në procesin e regjistrimit të popullsisë, do të ketë pasoja në buxhetin e komunave dhe zhvillimin ekonomik lokal.

“Së pari, komunat ku jeton popullata shumicë serbe do të përballen me buxhet të reduktuar, sepse një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të tyre ndahet nga Qeveria në bazë të numrit të banorëve. Së dyti, komunat e udhëhequra nga serbët nuk do të jenë në gjendje të vlerësojnë potencialin e tyre njerëzor dhe ekonomik, gjë që do të çojë në mangësi në çfarëdo strategjie apo plani që do të ndërmarrin. Prandaj, regjistrimi i popullsisë ka efekte pozitive dhe asnjë komunitet nuk duhet të refuzojë të marrë pjesë”, thotë Salihu.

Gjobat
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka paralajmëruar se personat që vendosin të mos regjistrohen mund të përballen me gjoba të parashikuara me ligj: nga 30 deri në 2.000 euro.

Gjobat për biznesmenët janë edhe më të larta dhe shkojnë deri në 20 mijë euro.

Zëdhënësja e ASK-së, Hazbije Qeriq thotë për REL-in regjistruesit kanë për obligim të shkojnë në të njëjtën ekonomi familjare tre herë, në rast se në dy herët e para nuk arrijnë të takojnë qytetarin për t’i marrë informatat për regjistrim.

Gjatë vizitës në amvisëri, regjistruesit janë të detyruar të lënë një njoftim se kanë ardhur dhe nuk kanë gjetur askënd.

Megjithatë, Qeriqi thekson se qytetarët që refuzojnë t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi, atëherë mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro.

“Organet kompetente që merren me ligjin i ekzekutojnë (gjobat)”, tha Qeriqi.

Ajo sqaroi se organet kompetente, në këtë rast, janë gjykatat dhe Policia e Kosovës./REL