Projektrezoluta që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, do të prezantohet më 17 prill në një takim të mbyllur në Kombet e Bashkuara.
Për rezolutën përfundimtare, e cila ende është duke u punuar, vendet anëtare të OKB-së do të mund të deklarohen në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në fillim të majit, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.
Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.
Projektrezoluta e OKB-së bën thirrje për dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë dhe u kërkon anëtarëve të OKB-së që t’i ruajnë faktet e vërtetuara dhe të zhvillojnë programe të përshtatshme përmes sistemeve të tyre arsimore, në mënyrë që të parandalojnë revizionizmin dhe gjenocidin në të ardhmen.
Ajo i dënon, gjithashtu, veprimet që madhërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë.
Projektrezoluta thekson edhe rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të të gjitha viktimave të gjenocidit në Srebrenicë dhe bën thirrje për vazhdimin e ndjekjes penale të autorëve të gjenocidit.
Iniciatorë të saj janë Gjermania dhe Ruanda, por, siç merret vesh jozyrtarisht, Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Kili, Finlanda, Jordania, Zelanda e Re, Turqia dhe vende të tjera do të marrin pjesë në krijimin e tekstit.
Beogradi zyrtar, prej vitesh, kundërshton miratimin e rezolutave apo deklaratave që krimin në Srebrenicë e cilësojnë si gjenocid.
Zyrtarët serbë thonë se në Srebrenicë ka ndodhur një krim i tmerrshëm, por nuk pranojnë se ishte gjenocid.
Deri më tash, më shumë se 50 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burg për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë./rel