“Office 2024” do të jetë gjithashtu i disponueshëm pa abonim


Microsoft ka publikuar detaje të paketës së aplikacioneve të zyrës që nuk janë të lidhura ngushtë me aplikacionet në sistemin e ruajtjes së të dhënave cloud, por funksionojnë “si më parë”, domethënë në nivel lokal.
Kjo paketë ka ekzistuar gjithmonë, por kohët e fundit po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga një abonim në Microsoft 365, i cili ofron shumë më tepër sesa vetë aplikacionet. Mirëpo, ka nga ata që nevojat e tyre janë të ndryshme, ndaj bëhet e ditur se versioni i ri i “Office” do të ofrohet me blerje një herë, e jo me abonim.
Pesë vjet mbështetje

Do të jetë versioni i “Microsoft Office LTSC 2024” (kanali i shërbimit afatgjatë), i cili do të zgjidhet kryesisht nga sipërmarrësit që nuk janë të prirur të paguajnë abonime mujore të softuerit. Ai do të ofrojë instalim lokal në një kompjuter, një licencë të përhershme, mbështetje dhe përmirësime për pesë vjet, por më pak opsione dhe funksionalitet sesa paketa e përfshirë në abonimin e Microsoft 365.

Për shembull, nuk do të ketë aplikacionet Publisher dhe Teams. Për shkak se nga natyra nuk është një produkt i bazuar në renë kompjuterike, Office 2024 LTSC nuk do të ofrojë veçori që kërkojnë cloud-për shembull, bashkëpunimin e dokumenteve në kohë reale, shtesat me AI, Copilot, etj.

Office LTSC do të jetë në dispozicion për përdoruesit e biznesit nga muaji i ardhshëm, i ndjekur nga lansimi i versioneve të brendshme të Office 2024 për përdoruesit shtëpiak më vonë gjatë vitit. Paketa e zyrës do të jetë e disponueshme për macOS dhe Windows 10 dhe 11 në të dy versionet 32-bit dhe 64-bit. Çmimet nuk janë bërë të ditura, por thuhet se nuk do të ndryshojnë shumë nga ato ekzistueset.