Pasi komitët e Mickos janë siguruar se në sondazhe e fundit udhëheqin bindshëm para Socialdemokratëve të Dhimos, kanë bërë dhe ofertën e parë për bashkëqeverisje opozitës shqiptare VLEN, të cilët lëpihen pas këtij propozimi në qeverinë e koalicionit që sipas të gjitha gjasave do ta formojë kryekomiti Micko.
Opozita shqiptare me emrin VLEN nuk do ta mendoj dy herë propozimin e kryekomitit Micko për pjesëmarrjen në qeverinë e koalicionit për të cilën ata po pispillosen, ku tashmë i kanë përcaktuar edhe ministritë që i lakmojnë.
Por ama, një gjë është e sigurt se nëse do të kemi ndryshime kushtetuese pas zgjedhjeve me VMRO-në fituese, nofka e turpit dhe e denigrimit të identitetit gjuhësor si 20% i famëshëm nuk dotë merret në konsideratë nga komitët e VMRO-së.
Nuk do të merret parasysh qoftë edhe si propozim i partnerëve të rinj në qeverinë e ardhshme të koalicionit, duke e ditur qëndrimin shoven ndaj gjuhës shqipe dhe pabarazisë mes shqiptarëve dhe sllavëve, me mbajtjen dhe ruajtjen e supremacisë së pushtetit si despotë të fundit të një sistemi feudal kundrejt shqiptarëve.
Dhe sigurisht para dy të këqijave “nacionalistët e së djathtës shqiptare” brenda grupimit VLEN me Taravarin, Bilin e vockël, Afrimllarin dhe evgjitin e Çairit, nën presionin e lënies jashtë koalicionit për shkak të refuzimit të fshirjes së 20% dhe mosmiratimit të ndryshimeve kushtetuese, do të zgjidhnin të heshtin, duke sajuar gënjeshtrat e radhës se herën tjetër njolla e turpit dhe e denigrimit të identitetit gjuhësor të shqiptarëve do të vihet në rend dite!
Meqë po “feks dielli” i tyre, këtë radhë ato ndryshimin mendojnë me rrokadën e ndërrimit të pushtetit përmes fitores së komitëve, ku pritet të hyjnë në qeverinë e koalicionit të ardhshëm, duke i dhënë vetes së tyre atributin dhe kontributin e madh të ndryshimit me ndërrimin e pushtetit dhe vetëm kaq.
Retorika e VLEN-it për ndryshim nuk ka asnjë themel dhe asnjë bazë për ta realizuar atë slogan, tashmë të hedhur prej disa muajve ne terren si diçka e re që do të ndodh me qeverisjen e vendit nëse shqiptarët do t’i votonin ata.
Kësisoj, gjërat janë konkrete dhe jo imagjinare. Ndryshimin nuk e bëjnë dot trimat “nacionalistë të së djathtës” laramane të reshtuar në taborin VLEN, ku me jeniçerët dhe kalorësit e tyre nuk çajnë dot përpara me ato 8/12 mandate që mendohet se do të marrin.
Programin qeverisës e thur dhe e dikton despoti Micko (apo Dhimo nëse fiton pozita e tanishme) dhe nuk i dikton njësiti i jeniçerëve të VLEN-it si të ftuar special në qeverinë e ardhshme të koalicionit.
Ndaj, ndryshimi siç pretendojnë “nacionalistët e së djathtës shqiptare” me taborin VLEN, nuk ka gjasa të bëhet realitet për shkak të numrave të paarritshëm dhe mbështetjes së pamjaftueshme që pritet të kenë në 8 maj, që do të thotë se njësiti i jeniçerëve, nuk e dikton dot qeverinë e koalicionit dhe ndryshimet e nevojshme që duhet të ndodhin në rrugën e eurointegrimeve menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare.
Të shpresosh është e drejt e gjithsecilit por, të realizosh diçka që dëshiron nuk është gjithmonë e lehtë për ta realizuar! Medai Shaholli