NGA E SHKUARA TEK E ARDHMJA, DUHET TË KALOJË KULTURA INSTITUCIONALE E KUJTESËS


(Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Eksodit të Bllacës në Qendrën përkujtimore “Bllaca 99”)
Nga Prof. dr. Skender ASANI
Shkup, 8 prill 2024 – Teksa shkruante për dëbimin e shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, shkrimtari ynë Ismail Kadare e kishte kapur këtë moment nga një këndvështrim krejt të veçantë:
“Atë Kosovë, që e lanë si një të keqe, shqiptarët do ta mbushin përsëri me praninë e tyre, me djemtë dhe vajzat e bukura, me rrudhat e pleqve, me armatën e pathyeshme të foshnjeve e të fëmijëve, që do të përtërihen të gjitha, siç përtërihej jeta pas ikjes së mortajës…Duke u ndarë nga një natë e zezë tmerri, shqiptarët nuk duhet të harrojnë në jetë të jetëve atë që iu ndodhi. Jo për të rënë në kurthin e urrejtjes shterpë, por për të çmuar e për ta mbrojtur më mirë jetën e tyre…”, shkruante Kadare.

Edhe ne sot, kur po kujtojmë golgotën e Bllacës, e cila ndodhi para një çerek shekulli, në fakt po i shpallim luftë harresës, duke risjellë në kujtesë ato ngjarje që i dhan dinamikë më të përshpejtuar procesit të çlirimit të Kosovës, por edhe e globalizuan solidaritetin njerëzor të botës demokratike, që erdhi si rezultat i një fushate ajrore kundër makinerisë vrastare të regjimit serb të Millosheviqit.
Pra ne nuk po e harrojmë të kaluarën e dhimbshme, por po e çmojmë më tepër të ardhmen, që duhet të jetë më e sigurt, më dinjitoze dhe, fundja, më e njerëzishme.

Sa herë që puna bie të organizojmë ndonjë homazh, si ky i sotmi, vazhdimisht më ka përcjellur një dilemë në formë të pyetjes: A mjafton ta freskojmë kujtesën vetëm me ngjarje e evente, nëse ato nuk legjitimohen sipas një kulture institucionale-shtetërore?
Në kujtim të kalvarit të gjatë të të dëbuarve të ‘99-ës, që përfundoi në luginën e Bllacës, para pesë viteve këtu ku jemi sot u vu gurthemelit i Muzeut të gjenocidit serb ‘Bllaca 99’. Kjo ngjarje pati bekimin e dy qeverive tona, të Kosovës dhe Maqedonisë, ku Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ishte ideator dhe kreator i kësaj nisme.
Pra ky ishte hapi i parë drejt legjitimimit të kujtesës në formë të kulturës institucionale, për çka Instituti ynë për çdo vit iu ka bërë oferta zyrtare institucioneve të Kosovës, përfshi edhe Kryeministrinë, Presidencën, që ky vend i quajtur Bllacë të ketë një trajtim më substancial, duke u nisur nga fakti se pikërisht këtu u ngjiz shtendërtimi i Kosovës , si rrjedhojë e vuajtjeve të njerëzve pas gjithë atyre ballafaqimeve jo të barabarta në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe soldateskes kriminale serbe të Millosheviaqit, por edhe si rrjedhojë e hakmarrjes ndaj shqiptarëve pas fillimit të bombardimeve mbi caqet militariste serbe. Ideja jonë ishte dhe mbetet, që Bllaca të shndërrohet në një vendpelegrinazh për të nderuar dhe kujtuar viktimat e gjenocideve ndaj shqiptarëve në të gjitha kohërat. Me këtë ide i dalim borxh viktimave të luftërave dhe vuajtjeve, por shprehim edhe një protestë dinjitoze ndaj tendencave që e mohojnë gjenocidin në Kosovë, ashtu siç po mundohet të bëjë aktualisht edhe politika zyrtare e Beogradit, e cila është tepër e shqetësuar pasi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e shpalli gjenocid krimin e kryer në Serbrenicë, në korrik të vitit 1995, me ç’rast forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë brenda pak ditësh. Pritet që gjenocidi serb të merr përgjigje të merituar edhe në Kombet e Bashkuara më 24 prill të këtij viti, andaj ky është edhe një moment reflektimi dhe mobilizimi institucional, me ndihmën edhe të diplomacisë së Shqipërisë, që edhe Kosova dhe shqiptarët të zëjnë vendin e merituar në nivelet ndërkombëtare të ndëshkimit dhe penalizimit të Serbisë, ku ajo përfundimisht do të shpallej përgjegjëse dhe autore e shumë krimeve makabre që mbajnë vulën e gjenocidit në Kosovë. Do të doja që në 24 prillin e vitit të ardhshëm në axhenëdn e OKB-së të përfshihet edhe një rezolutë e cila do të bënte përgjegjëse Serbinë për gjenocidin e kyrer në Kosovë.
Prandaj, më vjen mirë që këtu në mesin tone sot ndodhet edhe drejtori i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i cili pëfaqëson zërin e qindra mijëra shqiptarëve fatkeq, të cilët në ato ditë të ftohta marsi e prilli- 1999 ishin të detyruar të braktisnin me dhunë shtëpitë e tyre. Ky ka qenë zatën edhe qëllimi final i regjimit të Millosheviqit, që në kuadër të projektit “Patkoi”, të realizojë ëndrrën shekullore serbomadhe për një Kosovë pa shqiptarë.
Shumë reporterë të huaj, por edhe vendorë, atëbotë Bllacën e kishin përshkruar si një vend ferri, ku vdekja ishte më afërt se këmisha e qullosur me djersë dhe gjak. Në skenën e quajtur Bllacë u luajt një tragjedi njerëzore,ndërkohë që regjisorët nga Beogradi komandonin fatin e qindra mijëra njerëzve, të cilët nga halli dhe zori ishin grumbulluar në kërkim të shpëtimti të jetëve.
Dhe ndodhi mrekullia. Gjithë ata lumej të rrëmbyeshëm të dëbuarish në Bllacë, për pak ditë u fashitën, sepse rrezet e ngrohta të solidaritetit triumfuan mbi retë e zeza të shfarosjes. U aktivizuan motrat dhe vëllezërit nga Maqedonia, të cilët ndihmën e tyre e dhanë përmes organizatave humanitare por edhe mbi baza individuale, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të dështonte ideja e Gligorovit mbi korridorin që parashihte transferimin e shqiptarëve në vendet e treta pa i lënë ata të shkelin në tokën e Maqedonisë. “Korridori” i Gligorovit ishte menduar si zgjatim i planit “Patkoi” të Millosheviqit, në mënyrë që ideja ogurzeze për spastrimin etnik të trojeve shqiptare të zhvillohej papengueshëm. Por, ja që vetë shqiptarët e Maqedonisë, me bujarinë dhe mikpritjene tyre vëllazërore u bënë pengues të këtyre ideve fashizoide dhe për rrjedhojë Kosova pas 12 qershorit të vitit 1999 u rimbush sërish me shqiptarë, duke iu dhënë goditjen përfundimtare projekteve gjenicidale serbe.
Në përmbyllje të fjalës sime sot, do të doja të rikujtoj edhe një herë që Kosova duhet të përgatitet në mënyrë të gjithanshme që një ditë, kur t’i plotësojë të gjitha kushtet, ta parashtrojë padinë e saj pranë Gjykatës Ndërkombëtare Penale kundër Serbisë për kryerjen e gjenocidit në Kosovë. Bllaca, si vend ku gjenocidi serb la gjurmët e veta të pashlyera, mund të shërbejë si pikënisje dhe pikë orientimi i kësaj padie, por edhe gurthemel i një tradite shtetërore për të mos harruar tullat e vuajteve që u bënë kala e shtetit të Kosovës.

Bllacë, 08. 04. 2024