Liderët izraelitë besohet se po përgatiten për operacione ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Ushtria izraelite lajmëroi fundin e operacionit të tyre në qytetin e Khan Junis, duke thënë se trupat e mbetura në këtë qytet “do të përgatiten për misionet në të ardhmen, përfshirë atë në Rafah”. Banorët palestinezë që u kthyen në Khan Junis, u dëshpëruan kur panë rrënojat, ndërtesat e pabanuara, ballkonet e shembur dhe institucionet e dëmtuara.
“Ne erdhëm për të parë se çfarë ndodhi me shtëpinë por nuk gjetëm asnjë shtëpi në radhë të parë. Janë vetëm rrënoja. Nuk mund të jetosh këtu. Kafshët nuk mund të jetojnë këtu, kështu që si duhet të jetojë një person? Shkatërrimi është joreal”, tha Ahmad Abu Reesh, i shpërngulur nga Khan Younis.
Ndërkohë, transmetuesi lokal Channel 13 TV raportoi se Izraeli po përgatitet të fillojë evakuimin e Rafahut brenda një jave dhe procesi mund të kërkoj disa muaj. Aktualisht, Rafahu strehon rreth 1,4 milionë njerëz të cilët janë strehuar atje që prej gjashtë muajsh luftime. Ndërkombëtarët vazhdojnë të rrisin presionin ndaj Izraelit për ti dhënë fund luftës. Në bisedimet në Kajro, me qëllim të arritjes së një armëpushimi, është shënuar “përparim i rëndësishëm”, dhe më shumë negociata pritet të zhvillohen në ditët në vijim, ka raportuar media shtetërore në Egjipt. Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore izraelite janë vrarë mbi 33 mijë palestinezë në Gazë, kryesisht gra dhe fëmijë.