Kryetari i komunës së Studeniçanit i bashkohet “Frontit Europian”

Kryetari i komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki i është bashkëngjitur “Frontit Europian”, informon PRESSonline.al

Ai sonte i shoqëruar nga aktivistë, simpatizantë, qytetarë dhe zyrtar të lartë partiak e shtetëror të Bashkimit Demokratik për Integrim, së bashku me bartësin e listës së njësisë zgjedhore numër 1, Blerim Bexhti dhe kandidatin për president Bujar Osmani kanë marrë pjesë në iftar të përbashkët në Studeniçan të Shkupit.

Sadiki, në tre mandate është kryetar komune, ndërsa ka qenë edhe ish-zyrtar i lartë i Partisë Demokratike Shqiptare.

Kandidati për president Bujar Osmani, gjatë ditës së sotme ka vizituar të gjitha vendbanimet e komunës së Studeniçanit, ku ka takuar qytetarë të shumtë dhe ka shpalosur programin e tij presidencial.