Kovaçevski: Pendarovski do të jetë president i të gjithë qytetarëve, jo dorë e zgjatur e ndonjë partie politike
Duke promovuar stendën për kandidatin presidencial Stevo Pendarovski në Komunën Qendër, lideri i LSDM-së Dimitar Kovaçevski dhe bartës i listës në NjZ 1, deklaroi se vendi nuk ka alternativë tjetër përveç Bashkimit Evropian dhe prandaj, siç tha, nuk ka tërheqje nga qëllimi përfundimtar – Maqedonia të bëhet shtet me standard më të lartë jetësor, me sundim të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
“Koalicioni ‘Për një të ardhme evropiane” ka pikërisht këto vlera, kemi një plan konkret për ta arritur këtë. Edhe presidenti Stevo Pendarovski poashtu ka një vizion shumë të qartë, vendosmëri që vendi ynë të jetë shtet anëtar i Bashkimit Evropian, jo vetëm për hir të anëtarësimit, por për hir të një standardi më të lartë jetësor dhe kushte më të mira të jetesës për qytetarët”, tha Kovaçevski duke shtuar se me kryetar të qeverisë nga ky koalicion- “shteti do të jetë në rrugë më të sigurt drejt integrimeve euroatlantike”.
I pyetur se pse nuk ka qenë në tubimet e kandidatit për president të cilin e përkrah LSDM-ja, Kovaçevski është përgjigjur se “presidenti Pendarovski ka mbështetje të qartë nga qytetarët e shprehur përmes 22 mijë nënshkrimeve të dorëzuara në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ)”.
“Për dallim nga kandidati presidencial i VMRO-DPMNE-së, për të cilin thuhej se ka mbi 28 mijë nënshkrime, ka rezultuar se ato nënshkrime ose janë të falsifikuara ose diçka nuk ka qenë në rregull me ta, gjë që nuk mund ta vërtetoj sepse është punë e VMRO-DPMNE-së dhe prandaj kandidati i tyre për president garon me rreth 40 nënshkrime të deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Ne si koalicion shprehim mbështetje shumë të qartë dhe këtë e shihni të gjithë”, ka thënë Kovaçevski.
Në pyetjen për të ashtuquajturin non-pejper të partive nga blloku politik shqiptar për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, Kovaçevski u përgjigj se ai dokument ka qenë aktual para dy muajsh dhe nuk e di nëse është nënshkruar apo jo sepse nuk është pjesë e tij.
“Sa u takon ndryshimeve kushtetuese, nëse dikush ka qëndrim të qartë dhe nëse dikush ka marrë përgjegjësinë për nevojën për të ndërmarrë atë hap për të hapur kapitujt dhe përfundimisht për t’u bërë shtet anëtar i Bashkimit Evropian, atëherë ai jam unë. Jam i lumtur që kam marrë përgjegjësinë dhe i cili ka guxim për dallim nga politikanët e tjerë të opozitës të cilët asnjëherë nuk kanë pasur guxim për asgjë, ndryshimet kushtetuese t’i iniciojnë në Kuvend”, tha Kovaçevski dhe shtoi se votën e tyre nuk e përdor si “instrument për luftë politike”, por është “akt që duhej të ndodhë më herët”.
Sipas tij, përfshirja e popullit bullgar në Kushtetutë “më në fund do t’i japë fund tezës se ekziston një popull në dy shtete dhe “përfundimisht në një dokument do të qëndrojë se ekziston një popull maqedonas dhe se ekziston një popull bullgar”.
Pas 8 majit, nëse merr besimin, siç tha ai, do të fillojë menjëherë me reformat në sistemin gjyqësor për të cilat poashtu do të nevojiten ndryshime kushtetuese.
“Këto do të jenë ndryshimet e dyta kushtetuese që menjëherë pas marrjes së mandatit do t’i dorëzoj në Kuvend”, shtoi Kovaçevski.