Shtetet e Bashkuara po mendojnë se duhet të rritet numri i ushtarëve në KFOR, por edhe i mjeteve të rënda.
Kështu ka thënë Komandanti Suprem i NATO-s për Evropën, gjenerali Christopher Cavoli, në një seancë dëgjimore para Komitetit të Forcave të Armatosura të Kongresit amerikan, raporton Klankosova.tv.
Në fjalën e tij, më 11 prill, Gjeneral Cavoli ka thënë se veç dërgimit të forcave shtesë nga Britania dhe Rumania vitin e kaluar, po mendohet shtim tjetër në këtë forcë.
“Është me rëndësi të dihet se edhe gjëra tjera po ndodhin në Evropë që nuk janë të mira për interesat nacionale amerikane. Ato po ashtu nuk janë të palidhura me konfliktin e Ukrainës, siç e dini mirë, Senator. Gjëja e parë që US-EUCOM bëri ishte ta marrë komandantin e EUCOM që ta bind Komandantin Suprem të Forcave Aleate që të bëjë diçka për këtë brenda NATO-s për sa i përket forcave rezervë dhe gjithçka tjetër. Pra, ne kemi bërë një rishikim të planit për KFOR-in specifikisht, dhe është zbuluar se na duhen, jo vetëm më shumë forca, por edhe forca më të rënda. Jemi në proces të kësaj tani. Vendet po tregohen zemërgjera, dhe do të vendosim edhe mjete më të rënda në terren, por edhe njerëz”, deklaroi ai.
“Gjëja e dytë që po bëjmë është zgjidhja e raportit mes forcave rezervë për misionin e BE-së në Bosnje (ALTHEA) dhe misionin e KFOR-it, sepse siç e theksuat dhe unë pajtohem, ishte një ekonomi që s’mund ta përballojmë më për të ndarë forcën rezervë strategjike atje. Dua të veçoj Francën që ka qenë veçanërisht zemërgjerë”, ka deklaruar gjenerali Cavoli.
Gjenerali amerikan tha se kanë ndërmarrë dy misione për mbledhje të informatave në mënyrë që të marrin sa më shumë inteligjencë se çka po ndodhë në dy vendet, Kosovën dhe Bosnjën, teksa theksoi se për detajet do të flasë në një seancë të mbyllur.
Ndërkaq, në dokumentin e fjalës së tij që është publikuar nga Komisioni i Forcave të Armatosura i Kongresit amerikan, ai thotë se Rusia mbetet një prej nxitësve kryesorë të tensioneve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Situata në Ballkanin Perëndimor është tensionuar më shumë gjatë vitit të kaluar. Negociatat për zgjidhjen e çështjeve të brendshme politike dhe sociale nuk kanë bërë përparim. Ndikimi keqdashës rus për të nxitur tensionin kontribuon në këtë destabilitet rajonal. Dhuna është përkeqësuar – edhe dhuna spontane edhe ajo që nxitet nga jashtë vendit. Vjeshtën e kaluar, sulmet ndaj policisë së Kosovës dhe një grumbullim i trupave serbe në kufirin e veriut të Kosovës paraqitën kërcënimin më të lartë të dhunës ndërshtetërore që nga fundi i luftës në vitin 1999, dhe ilustruan nivelin shqetësues të destabilitetit në rajon. Në përgjigje të tensionit në rritje, NATO dërgoi trupa nga Mbretëria e Bashkuar (MB) dhe Rumania për të përforcuar misionin e saj paqeruajtës në Kosovë. Përveç kësaj, Aleanca po rivlerëson qëndrimin e saj të forcës në misionin paqeruajtës të Kosovës për t’iu përgjigjur mjedisit të ri të kërcënimit”, ka thënë Cavoli, raporton Klankosova.tv.
Më tej, ai ka thënë se tensionet etnike në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë po ashtu potencial për eskalim dhe destabilizim të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Sipas gjeneral Cavolit, “Aktivitetet e Rusisë për të nxitur tensionin mes boshnjakëve etnikë, serbëve dhe kroatëve synojnë të dobësojnë vendin dhe të parandalojnë lidhjet e thelluara me BE-në dhe NATO-n”.
“Politika etno-nacionaliste e pengon Bosnjën dhe Hercegovinën të miratojë reformat e nevojshme politike, ligjore dhe ekonomike që do të çonin përpara integrimin e saj euroatlantik. Entiteti me shumicë serbe i Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Sërpska, kërkon të dobësojë autoritetet shtetërore dhe të dobësojë marrëdhëniet me BE-në dhe NATO-n duke ruajtur lidhje të ngushta me Rusinë”, ka deklaruar ai.
Së fundi, ai tha se operacionet aktive të ndikimit rus në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor “vazhdojnë të paraqesin sfida për unitetin e aleancës, si dhe për stabilitetin e përgjithshëm në rajon”.
“Narrativat që përhap Rusia nxisin tensionet ndëretnike dhe degradojnë mbështetjen për sundimin e ligjit dhe demokracinë në përgjithësi. Rusia mund të mos jetë vetëm; Roli i Serbisë në këto operacione ndikimi mbetet i hapur për t’u diskutuar, asnjëra prej të cilave nuk është e mirë për rajonin”, potencoi Komandanti Suprem i NATO-s për Evropën, gjenerali Christopher Cavoli.
#BREAKING #USA #Serbia #Kosovo The Supreme Allied Commander Europe, Christopher G. Cavoli, stated that KFOR (NATO mission in Kosovo*) not only needs more forces but also heavier forces.
NATO will deploy heavier equipment on the ground, as well as increase personnel. pic.twitter.com/Er2DCheFq5
— The National Independent (@NationalIndNews) April 17, 2024