Shkruan Izet Mexhiti
Dje isha në Tetovë me një shkas shumë të bukur – inaugurimi i projektit për stadiumin e ri të qytetit të cilin e prezantoi Bilalli… Pranverë, Tetovë, zgjedhje… Në garë përsëri Ali Ahmeti me Menduh Thaçin… por këtë herë si shokë (të luftës e idealit)…
Kalova te fusha pranë stadiumit. E njëjta “gropë”, i njëjti bërllog… dhe filluan të më mbërthejnë papritmas kujtime në lidhje me ngjarje, emra… Ndonëse vetëm 30 vjeç, Ali Ahmeti më kishte ngarkuar atëbotë detyrën e shefit të shtabit zgjedhor në nivel të Republikës. Ndoshta nga vrulli i rinisë, ndoshta nga ideali i një patrioti, apo thjeshtë nga naiviteti i një 30 vjeçari, mendoja se jam i privilegjuar që isha i “përzgjedhuri”. Megjithatë, tani nuk do të bëhem patetik e të “vajtoj” për kohërat e shkuara.
Por më nxiti të rikthehem mbrapa në vite vizita tek Stadiumi i Tetovës, pikërisht më 29 maj 2008, tubimi i parafundit i fushatës zgjedhore.
PDSH-ja e Menduh Thaçit në pushtet, si “partner strategjik” i VMRO-së së Nikolla Gruevskit. BDI-ja, edhepse fituese në zgjedhje, në opozitë. Por, Thaçit nuk i mjaftonte BDI-ja në opozitë; ai ishte i vendosur që ta zhbënte fare nga toka e dheut partinë dhe njerëzit që e përbënin atë. Kam folur para disa ditësh se si bombardoheshin shtabet e BDI-së sapo të njejtat i vizitonin kandidatët për deputetë dhe zyrtarët tjerë partiakë. Shkurt muhabeti, fushata e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2008, ashtu siç e paralajmëroi Menduh Thaçi, rezultoi “një kasaphane” e vërtetë!
Duke qenë se Menduh Thaçi kontrollonte pushtetin, ai ishte i vendosur që BDI-së të mos i lejonte as mbajtjen e tubimeve në lokacione normale, siç ishte sheshi i Tetovës për shembull. Kështu u përzgjodh gropa pranë Stadiumit të Tetovës për të mbajtur tubimin qëndror para heshtjes parazgjedhore.
Dhe gjithçka dukej normale e paqesore, derisa nuk u përmbyll tubimi dhe nisi shpërndarja e simpatizantëve. Kam qenë në kolonën e simpatizantëve të ardhur nga Shkupi që po ktheheshim në shtëpi, kur përnjëherë kolona ndaloi! Parapolicia e Menduh Thaçit kishte bllokuar rrugën. Turma nisi të bënte panik! Me ne kishte popullatë civile të të gjitha moshave dhe gjinive. Dola nga makina në përpjekje të menaxhoj situatën. Shumë shpejtë u përphap fjala se gratë që kanë qenë në tubim i ka ndaluar policia tek pagesat rrugore mes Tetovës dhe Gostivarit. Talat Xhaferi të cilin sot e shihni duke paraduar “krenarisht” krahë Menduh Thaçit ishte arrestuar! E gjithë rrëmuja ishte bërë për ta arrestuar Talatin, si cakun kryesor që e pengonte Menduh Thaçin ta kontrollonte terrenin me paramilitarët e tij. U përhap lajmi për arrestimin e Talatit dhe turma u tërbua! Flitej për armë, “kush ka”, “a ka”, “si të veprojmë”, ndërsa njerëzit tensionoheshin edhe më shumë… Atë natë për pak sa nuk u vramë mes veti aktivistë të BDI-së me aktivistë të PDSH-së.
Talatin e kishin arrestuar, thuhej, diku në hyrje të Tetovës, në rrugën që çon prej pazarit drejt sheshit Iliria. Aty ishte edhe një turmë e aktivistëve që i kishte bllokuar parapolicia në postbllok. Unë isha me banorët e Shkupit dhe Kumanovë-Likovës diku para kthesës për te “Monopoli”, shumë afër stacionit të autobusave. Sistemi kishte rënë – ne ishim në luftë me Menduh Thaçin dhe PDSH-në!
Ngelëm në bllokadë deri pas mesnate – burra e gra, pleq e fëmijë – të gjithë të bllokuar në emër të bindjeve politike. Po përpiqesha gjatë gjithë kohës që të menaxhoj situatën – një plumb i shkrepur do t’i jepte një kahje katastrofale fushatës dhe ditës së zgjedhjeve. Shokët më thonin se po qe nevoja, do të përgjigjemi me armë. Ndërsa në kokën time nuk arrija ta procesoj skenarin ku dy shqiptarë do të vriteshin mes veti për pushtet politik dhe isha i vendosur që një gjë e tillë nuk do të guxonte të ndodhte assesi!
Bllokada në Tetovë ishte paralajmërimi. Dy ditë më vonë, më 1 qershor 2008, dita do të niste me vrasjen e Naser Ajvazit në një vendvotim në Haraçinë. Te shkolla fillore “7 Marsi” në Çair kishte ndodhur dyluftim i vërtetë. Edhe nëntë qytetarë të tjerë u plagosën atë ditë. Bota mbarë raportoi për zgjedhjet e përgjakura në Maqedoni.
Sot, teksa i shoh këta zyrtarë partiakë të BDI-së, shokë me të cilët kam ndarë të mirat e të këqijat e jetës, jo vetëm të politikës, nuk mund e të mos pyes veten, vallë, “si ndjehen kur kanë në krah Menduh Thaçin?!” Unë ndjehem shpirtërisht i qetë. Nuk kam tradhëtuar bindjet për interesa politike. Kam besuar atëherë, njejtë siç besoj edhe tani, se pjesëmarrja në politikë, duke qenë obligim publik, duhet patjetër të bazohet në disa parime dhe të ketë disa norma e kufij që nuk kalohen. Për këto bindje dhe për këto parime jam larguar nga BDI dhe koha po dëshmon se kam pasur të drejtë. Prandaj, sot pyetja që parashtrohet nuk është më “përse u largua Izeti”, por “përse BDI mashtroi votuesit e saj dhe aq lehtësisht u vëllazërua me Menduh Thaçin!
Në Tetovë do të ndërtohet Stadiumi i ri. Bashkë me rezultatin e zgjedhjeve që po afrohen, ky do të jetë simboli i kapitullit të ri në politikën shqiptare në Maqedoninë e veriut. Gropat nga e shkuara, qofshin edhe në kuptimin simbolik, do t’i mbyllim sëbashku, dhe do të ndërtojmë një filozofi politike të re, moderne, që bazohet tek qëndrueshmëria, llogaridhënia dhe mostradhëtimi i besimit të votuesit.
Sepse fillimi i ri ia VLEN. Ndryshimi VLEN.