Izraeli: Mbështetja e Erdogan për Hamasin do të ketë pasoja në marrëveshjet tona tregtare

Izraeli do t’i përgjigjet “shkeljes së njëanshme” të marrëveshjeve tregtare me Turqinë duke vendosur kufizimet e veta tregtare, paralajmëroi ministri i jashtëm i Izraelit, pasi Ankaraja vendosi të kufizojë eksportet e një sërë produktesh në Izrael.

Israel Katz tha se presidenti turk Tajip Erdogan “po sakrifikon sërish interesat ekonomike të popullit të Turqisë për të mbështetur Hamasin dhe ne do të përgjigjemi në përputhje me rrethanat”.

Ankaraja vendosi kufizime në eksportin e një numri produktesh nga sot në përgjigje të luftës në Gaza dhe në përgjigje të zemërimit në rritje të popullsisë turke për ruajtjen e marrëdhënieve tregtare midis Turqisë dhe Izraelit.

“Ky vendim do të mbetet në fuqi derisa Izraeli të deklarojë një armëpushim të menjëhershëm dhe të lejojë kalimin e ndihmave humanitare në Gaza ”, tha në një deklaratë Ministria Turke e Tregtisë.

Kufizimet kanë të bëjnë me 54 produkte, duke përfshirë materiale ndërtimi çeliku, hekuri dhe alumini, si dhe karburantet e avionëve.