Irani do t’i përgjigjet sulmit në Damask, por nuk kërkon përshkallëzim

Irani i ka sinjalizuar Uashingtonit se do t’i përgjigjet sulmit të Izraelit ndaj ambasadës së tij siriane, por nuk do të veprojë me nxitim.

Mesazhi i Iranit në Uashington u përcoll nga Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian gjatë një vizite në shtetin arab të Gjirit të Omanit, i cili shpesh ka vepruar si një ndërmjetës midis Teheranit dhe Uashingtonit.

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se Uashingtoni nuk ishte i përfshirë në sulmin ajror kundër një komandanti të lartë ushtarak iranian në Damask dhe e ka paralajmëruar Iranin që të mos e përdor sulmin si arsye për të përshkallëzuar më tej situatën në rajon.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka mbajtur gjithashtu bisedime me ministrat e Jashtëm të Kinës, Arabisë Saudite dhe Turqisë duke argumentuar se përshkallëzimi i mëtejshëm nuk është në interesin e askujt.

Shtetet e Bashkuara kanë kufizuar udhëtimin për punonjësit e tyre në Izrael, mes frikës së një sulmi nga Irani. Ambasada amerikane tha se personelit i ishte thënë të mos udhëtonte jashtë zonave të Jeruzalemit të madh, Tel Avivit ose Beersheba. Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Lord Cameron i ka telefonuar homologut të tij iranian për të kërkuar kundër përshkallëzimit të mëtejshëm.

Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin e konsullatës, por konsiderohet gjerësisht se qëndron pas tij. Sulmi erdhi në një kohë të përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike për të parandaluar përhapjen e luftës në Gaza në të gjithë rajonin. Nuk është e qartë se çfarë forme do të merrte Irani si hakmarrje apo nëse do të vinte direkt apo nëpërmjet një prej përfaqësuesve të tij.

Nga ana tjetër kryeministri Benjamin Netanyahu, mes shqetësimeve se Irani po përgatitej të godasë Izraelin si përgjigje për vrasjen e komandantëve të lartë iranianë është shprehur se kush dëmton Tel Avivin do marri një përgjigje shumë të ashpër.

Irani beson se Netanyahu synon të tërheqë Teheranin në një luftë, prandaj hakmarrja e tij mund të jetë e përmbajtur që shmang sulmet e drejtpërdrejta në territorin izraelit.