Imer Selmani: Devijimi nga kursi euroatlantik, i rrezikshëm për Maqedoninë e Veriut

Shkup, 4 mars – Analisti politik Imer Selmani në prononcim për PRESSonline.al, thotë se përcaktimi strategjik i Maqedonisë së Veriut si shtet edhe i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që para 30 viteve, në vazhdimësi është anëtarësimi në NATO dhe në BE duke inkorporuar të gjitha vlerat pozitive shoqërore dhe ekonomike të shteteve të zhvilluara të perëndimit në vendin tonë.

“Në asnjë mënyrë ky kurs nuk duhet ndryshuar dhe për këtë jemi përgjegjës të gjithë ne, së pari si qytetar kur votojmë dhe u japin mandatin për të na drejtuar politikanët dhe patjetër politikanët kur marrin përgjegjësi këtë orientim dhe vullnet politik e kanë për detyrë ta realizojnë”, tha Selmani për PRESSonline.al

Sipas tij, devijimi i vendit nga kursi euro-atlantik është i mundur vetëm atëherë nëse në pushtet vijnë parti politike dhe politikanë të cilët në opinion njihen si mbështetës të politikave të mëdha të Rusisë, ndërsa nëse ndodh kjo, atëherë vendi do të mbetet në “vendnumëro”.

“Devijimi nga kursi euroatlantik është i mundshëm edhe njëkohësisht është rrezik shumë i lartë për neve si qytetarë dhe për vendin tonë nëse qytetarët votojnë politikanë dhe parti politike në këto zgjedhje të cilat janë të deklaruar si anti-perëndimor ose dyshojnë haptazi në ardhmërinë e vendit tonë në NATO dhe në BE në mënyrë suptile preferojnë aleanca me Rusinë. Këtu para së gjithash kanë ndërmend parti dhe individë të bashkësisë etnike kryesisht maqedonase por në këto gracka nuk duhet të bien edhe politikanë shqiptarë dhe partitë shqiptare”, analizon Selmani për PRESSonline.al

Ai potencon se sa i përket partive politike shqiptare, nuk ekziston asnjë dallim se ato janë përcaktuar që herët për opsionin euroatlantik.

“Duhet të jemi të sigurt se edhe në këto zgjedhje, partitë politike shqiptare të dy blloqeve do të japin kontributin e tyre që të rruhet diskursi euro-atlantik i vendit, që siguron avancimin e mëtutjeshëm të drejtave të shqiptarëve si dhe përmirësimin e jetës së tyre, me shumë dimensione që kanë të bëjnë me një mirëqenie më stabile”, thotë Selmani.