Guterres fajëson strategjinë e luftës së Izraelit në Gazë për vrasjen e punëtorëve të ndihmës

Shefi i Kombeve të Bashkuara fajësoi strategjinë ushtarake të Izraelit dhe procedurat për vrasjen e pothuajse 200 punëtorëve humanitarë, përderisa bëri thirrje për hetime të pavarura për të rregulluar këto dështime dhe praktika.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u tha gazetarëve më 5 prill se Qeveria izraelite ka pranuar “gabimet” dhe ka vendosur disa masa disiplinore ndaj ushtarëve, pasi gjatë kësaj jave u vranë shtatë punëtorë humanitarë të organizatës Kuzhina Qendrore Botërore.

“Por, problemi thelbësor nuk është se kush ka bërë gabime, por është strategjia ushtarake dhe procedurat që po ndiqen që po lejojnë që këto gabime të bëhen disa herë”, tha ai.

“Përmirësimi i këtyre dështimeve kërkon hetime të pavarura dhe ndryshime të matshme dhe të rëndësishme në terren”.

Guterres tha se 196 punëtorë të ndihmës humanitare – përfshirë 175 pjesëtarë të stafit të OKB-së – janë vrarë gjatë gjashtë muajve luftë në Rripin e Gazës “dhe ne duam të dimë se pse secili prej tyre u vra”.

Shefi i OKB-së tha se hetimet e pavarura mund të funksionojnë vetëm nëse ato kryhen në bashkëpunim me autoritetet izraelite. Ai përsëriti rëndësinë e ndryshimit të sistemit të Izraelit, strategjisë dhe procedurave që janë përdorur në Gazë, që sipas tij çuan në vrasjen e këtij numri të lartë të punëtorëve të ndihmës.

Përgjatë luftës, që nisi më 7 tetor mes Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe Izraelit, Izraeli ka insistuar se nuk përjashton asnjë shënjestër dhe vazhdimisht ka sulmuar autoambulanca dhe makinat që bartin ndihmë, por edhe zyrat e organizatave të ndihmës dhe strehimore të OKB-së, duke pretenduar se në to kishte luftëtarë të armatosur. Izraeli ka akuzuar Hamasin për numrin e lartë të vdekjeve në mesin e civilëve, duke thënë se grupi operon në zona të banuara./REL