Është mbajtur mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.
Anëtarët e këtij komisioni janë takuar me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur si dhe të Këshillit Koordinues të Familjarëve të Personave të Zhdukur.
Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshillit të Familjeve të të Zhdukurve, është përlotur gjatë diskutimit në Komision.
“Shumë persona i gjetëm nëpër puse”, ka thënë Grajqevci.
Grajqevci, në nisje të diskutimit kujtoi nënën e tij, derisa iu mbushën sytë me lot.
Ai tha se shteti po flen dhe nuk është duke punuar për çështjen e të pagjeturve, duke shtuar se institucionet nuk kanë punuar dhe sot nuk punojnë, ndërsa Vuçiqi po e bën rrenën të vërtetë.
Tutje, ai tha se shumë persona janë gjetur nëpër puse, ndërsa bëri kritika ndaj politikanëve se më shumë përparësi i jepet bisedimeve në Bruksel, çështjes së dinarit dhe jo çështjes së të pagjeturve.